Ish-kryeministri Sali Berisha ka sqaruar në emisionin “Opinion” se pse nuk është thirrur asnjëherë nga prokuroria apo gjykata për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit.
Berisha u shpreh se në momentin e ngjarjes, ai ka qenë në zyrë dhe nuk ishte dëshmitar okular i vrasjes së Hajdarit. Ish-kreu i qeverisë u shpreh se ka zhvilluar asokohe me dhjetëra konferenca ku ka denoncuar fakte në lidhje me atë që e quan si vrasje shtetërore.
Blendi Fevziu: Që prej 22 vitesh emri juaj është përmendur vazhdimisht që do të thirreshit si dëshmitar në procesin për vrasjen e Azem Hajdarit. A jeni thirrur ndonjëherë zyrtarisht?
Sali Berisha: E vlerësoj faktin që i riktheheni “vrasjes së shekullit” siç e quani ju, unë do ta quaja aktin politik kriminal më të rëndë në historinë kombëtare duke pasur parasysh faktin se Azem Hajdari është personi që i priu atij revolucioni që ndau epoke, përmbysi sisteme, solli pluralizmin në Shqipëri. Në këtë kontekst nga momenti i aktit të tij, deri në ditët e sotme, ata që humbën pushtetin e tyre terrorist qëndrojnë me të gjithë fuqitë e tyre siç qëndruan pas atentatit edhe pas atentatit tjetër e me radhë.
Blendi Fevziu: Konkretishte jeni ftuar në gjykatë zoti Berisha këto 22 vite?
Sali Berisha: Nuk jam thirrur në mënyrë absolute asnjëherë, kurrë në jetën time as në Gjykatë, as në prokurori.
Blendi Fevziu: Përse është folur që ju jeni ftuar 50 herë nga gjykata dhe s’jeni paraqitur. Ju nuk keni marrë asnjë fletëthirrje?
Sali Berisha: Unë në mënyrë absolute nuk kam marrë kurrë në jetën time fletëthirrje. Nuk ka një media që të ketë botuar që të vërtetojë të kundërtën e kësaj që them unë. Fatos Klosi dhe ish-bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit Arben Rakipi, bënin lojë dhe bënin skupe sepse thërrisnin, por s’më thërrisnin dot. Pse s’më thërrisnin dot. Për dy fakte sepse unë do t’u bëja pretencë politike atyre dhe unë nuk kisha dëshmitar okular o zotëri. Unë kisha qenë në zyrë dhe çfarë do të dëshmoja unë nuk merrte dot fuqinë e një prove pa u verifikuar. Së treti, vetëm në harkun kohor 12 orë atë ditë kam bërë 3 konferenca shtypi pa llogaritur edhe konferencat e përditshme. Pra unë Sali Berisha nuk kam vajtur, kam denoncuar publikisht çdo të dhënë që ka ardhur, kam denoncuar vrasjen shtetërore.