Miliona amerikanë do të votojnë me postë, ose fizikisht, në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por të paktën një votë, do të mbërrijë nga rreth 320 kilometra nga Toka.
Kate Rubins, astronaute dhe inxhiniere fluturimi, planifikon të votojë nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, konfirmoi NASA për CNN, pasi gjatë periudhës së votimeve do të ndodhet pikërisht atje.
Rubins, bashkë me disa kozmonautë rusë, do të kalojë 6 muaj në hapësirë, si pjesë e trupës së Ekspeditës 63/64. Pas ngjitjes në hapësirë në tetor, Rubins do të merret me kërkime në fushën e “sensorëve kuantikë të së ardhmes” dhe do të kryejë atje eksperimente kardiovaskulare. Por do t’i japë kohë vetes edhe të votojë. NASA tha se Rubins ka votuar nga hapësira edhe në vitin 2016.
Astronautët që janë regjistruar për të votuar në shtetin e Teksasit kanë fituar të drejtën e votimit nga hapësira në vitin 1997, kur ligjvënësit e shtetit vendosën që votat elektronike të pranoheshin edhe nga jashtë planetit tonë, sipas Muzeut Kombëtar të Aeronautikës dhe Hapësirës, “Smithsonian”.
NASA shpjegoi për CNN sesi funksionon procesi i votimit nga hapësira: Komisioneri zgjedhor ngarkon në një sistem të sigurt fletën elektronike të votimit në Qendrën e Kontrollit të Misioneve Hapësinore të NASA-s. Astronautët, duke përdorur kredencialet specifike, kryejnë votimin dhe dokumenti elektronik kthehet në zyrën e komisionit zgjedhor.