Sport Chiesa te Juventusi për 50 milionë euro, por pret të shesë të...

Chiesa te Juventusi për 50 milionë euro, por pret të shesë të padëshiruarit

Federico Chiesa dhe Juventusi janë duke u afruar çdo ditë. Rocco Commisso, presidenti i Fiorentinës, konfirmoi se lojtari i lindur më 1997 do të jetë në fushë kundër Sampdoria. Pastaj, megjithatë, ai mund të bëhet lojtar i Juventusit gjatë fundjavës.

Anësori italian, sipas “Corriere della Sera” mund t’i kushtojë Juventusit rreth 50 milionë euro, edhe pse Fiorentina nuk do të dëshironte të binte nën 60 milionë. Ndërmjetësit e operacionit do të kërkojnë përputhje të kërkesë-ofertës, duke pasur parasysh krizën e madhe financiare që po kalojnë klubet e futbollit prej Covid-19. Formula e marrëveshjes do të ishte ajo e huazimit me të drejtën e blerjes përfundimtare. Kjo e fundit do të bëhej e detyrueshme me arritjen e disa kushteve. Kostoja e huazimit të rëndë sezonal do të ishte 10 milionë euro.

Bardhezinjtë mund ta blejnë Chiesa, pavarësisht nga shitja e Douglas Costa, i cili ende konsiderohet një lojtar në largim; ashtu si De Sciglio, Rugani dhe Khedira. “Zonja e Vjetër” shpreson të jetë në gjendje të marrë yllin e kombëtares italiane me paratë e rimbursuara nga shitja e “tepricave” të sipërcituara. Megjithatë, koha po fluturon, merkatoja mbyllet më 5 tetor.

Edhe vitin e kaluar, anësori vjollcë ishte nisur drejt Torinos, por ardhja e presidentit Commisso ndryshoi gjithçka. Në çdo rast, Chiesa tashmë ia ka bërë të ditur klubit se është i gatshëm të qëndrojë në rast të mosmarrëveshjes, por nuk do ta rinovojë kontratën që i skadon më 2022.

Fiorentina, gjithsesi është e hapur për ta shitur, ndaj ka ulur pretendimet e saj. Kjo është arsyeja pse Juventusi sheh shanse për të blerë një tjetër përforcim, në një verë revolucionesh dhe ndryshimesh të konsiderueshme.