Në faqen e një kodre në jug të Gjermanisë, bien në sy kullat e kështjellës Hohenzollern, të cilat bëjnë kontrast me panoramën e fshatit që i rrethon. Fortesa është selia e paraardhësve të familjes perandorake gjermane. Nëse vendi do të ishte ende monarki sot, pronarët e kështjellës do të ishin po ata. Sot, i pari i familjes është Georg Friedrich, i cili mban si mbiemër zyrtar edhe titullin ceremonial, Princ i Prusisë.
Brenda saj, kandidati për Kaizer, Princi Georg, përshkruan me krenari pemën gjeneaologjike të familjes, që të çon në breza të tërë princash e princeshash që kanë sunduar Prusinë (një territor tepër i madh që dikur përfshinte pjesë të Gjermanisë, Polonisë, Lituanisë, Rusisë dhe Danimarkës. I fundit i kësaj linjeje të pandërprerë ishte stër-stërgjyshi i tij, Kaizeri Wilhelm II, i cili udhëhoqi vendin deri në përfundim të Luftës së parë Botërore.
Por, përveç kështjellës, Princi Georg ka trashëguar edhe një betejë ligjore publike dhe shpesh të shëmtuar, me autoritetet gjermane, pasi pretendon të rifitojë pasurinë familjare të konfiskuar pas rënies së Nazizmit. Sipas Princit Georg, koleksioni përbëhet nga më shumë se 10 mijë sende me vlerë.
Çështja ligjore nisi dekada më parë, por qëndrimi i publikut gjerman nuk ka ndryshuar as sot, shumica mendojnë se atij nuk i takon asgjë. Disa historianë, madje, janë mosbesues ndaj pretendimeve të tij. “E shoh si detyrën time”, thotë ai në një intervistë për CNN. “Mendoj se familja do të binte plotësisht dakord që të ndiqnim këtë çështje, pavarësisht nëse gjykatësit do të na japin të drejtë, apo jo”.
Mes Princit dhe pasurisë që ai pretendon qëndron një ligj gjerman i mirëdetajuar, që u heq të drejtën e rifitimit të pronave të konfiskuara atyre që kanë ndihmuar nazistët të vijnë në pushtet. Këtu hyn në lojë stërgjyshi i Princit Georg, djali i Kaizerit të fundit, Princi i Kurorës Wilhelm. Një fotografi e vitit 1933, ku ai shfaqet me uniformë naziste dhe me një svastikë në krah gjatë një parade është “arma” që historianët përdorin kundër tij më së shumti.
“Është një fotografi tepër e rëndë për t’u parë”, thotë Princi Georg. “Sidomos kur sheh svastikën. Gjithmonë më bën të pyes veten pse po e mbante? Por ai nuk i simpatizonte nazistët, vetëm shpresonte që duke qëndruar pranë tyre të kishte një mundësi për rikthimin e monarkisë”.
Por shpejt, sipas Princit Georg, stërgjyshi i tij e kuptoi se Hitleri nuk kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë. Megjithatë, ai vazhdoi ta mbështeste në publik, me shpresën, thotë Princi Georg, për ta mbajtur sadopak nën kontroll dhe për të ndryshuar kursin që po merrte vendi.
Nga 5 historianët që shteti gjerman ka punësuar për të hetuar këtë histori, 4 janë të mendimit që Princi nuk meriton të marrë pasurinë mbrapsht. Megjithatë, ka edhe historianë të pavarur të cilët mendojnë se familja perandorake nuk ka qenë ithtare e nazizmit.
Për të ndërlikuar më shumë gjërat janë disa sende tepër të çmuara që Princi Georg ia ka dhënë në përdorim Berlinit dhe landit të Brandenburgut. Ai është pronar i kurorave të Mbretit dhe Mbretëreshës së parë të Prusisë, të cilat ekspozohen në muze. Ai zotëron, gjithashtu, edhe një kuti duhani të zbukuruar me ornamente, që i përkiste Frederikut të Madh, Mbretit më jetëgjatë të Prusisë. Megjithatë, Princi Georg është zotuar që do t’i lërë këto sende aty pavarësisht nëse i kthehen apo jo atij nga gjykata.
I akuzuar pasi ka ngritur më shumë se 30 padi ndaj personave që e kanë kritikuar publikisht këtë pretendim të tij, kandidati për Kaizer, i cili gjithashtu është edhe i 202-ti në radhë për fronin e Mbretërisë së Bashkuar sipas ekspertes së çështjeve mbretërore, Marlene Koenig, thotë që disa prej padive nuk shmangeshin dot. “Fjala e lirë është pjesë e kushtetutës sonë, por gënjeshtrat jo”, thotë Princi Georg.
Për momentin, çështja mbetet ende e pazgjidhur. Por palët ranë dakord që ta shtynin edhe me një vit përballjen finale në gjyq, që duhet të zhvillohej në gusht të këtij viti, për t’i dhënë njëra-tjetrës kohë për mundësinë e një marrëveshjeje.