Kryesore Trump, letër Ramës: Të nënshkruajmë memorandum mbi sigurinë 5G

Trump, letër Ramës: Të nënshkruajmë memorandum mbi sigurinë 5G

Presidenti i SHBA Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, në të cilën e falenderon për udhëheqjen që po tregon për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit, duke ju referuar teknologjisë 5G.

Në këtë letër, që është bërë publike nga kryeministri Rama, Trump shpreson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria të nënshkruajnë së shpejti një memorandum bashkëpunimi mbi sigurinë e teknologjisë 5G.

Ndër të tjera, kreu i Shtëpisë së Bardhë e nxit Kryeministrin Edi Rama që Shqipëria të dalë nga formati Kina 17+1.

Trump i ka kërkuar Ramës edhe zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Jeruzalem.

Donald Trump shpreh falënderimet edhe për mbështetjen që Shqipëria tregoi për marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar disa javë më parë në Uashington.

Letra e Presidentit të SHBA Donald Trump:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falenderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni.

Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem.