Nga Armand Plaka
Jo thjesht e çuditshme, por shumë interesante shqipja e Konicës për toponiminë që lidhej me emrat e shteteve. Shihet se tendenca e tij ishte më së shumti ajo frankofone: Pra në formë a përmbajtje, ose pjesërisht edhe në shqiptim. Ja tri raste konkrete marrë nga numri 8 i Revistës “Albania”, themeluar po prej tij, në vitin e saj të parë të botimit, në faqen 126.
Për Anglinë, Faik Konica preferonte që shqiptarët ta quanin: Ingledhé. Pra fare e qartë: marrë nga frëngjishtja në formë e përmbajtje. Nga “Angleterre”, pra toka apo dheu i anglezëve.
Për Francën: “Frenghia” dmth Frëngjia, çka duket se ka mbetur deri diku edhe në kohët e sotme, duke ruajtur formën për përcaktimin e gjuhës frënge dmth frëngjishtes, por jo të Francës si emër shteti.
Për Austrinë kjo çështje bëhet akoma më interesante, sepse duket se është një përzierje e anglishtes me frëngjishten. Kështu, nga anglishtja emri “Austria” nëse e shqipton siç duhet, “au” merret si diftong dhe shqiptohet “Ostria”, ndërsa në frëngjisht shkruhet “Autriche” dhe shqiptohet: “Otrish”.
Konica duke e sjellë në shqip, na vjen me variantin “Oshtri”. Kjo formë vijoi në fakt të përdorej pjesërisht në shqip, por më shumë zuri vend termi “nemce” një term përgjithësues (i huazuar nga sllavishtja) për të gjithë popujt gjermanikë, por edhe kombësitë e tjera pjesë përbërëse të ish-Perandorisë Austro-Hungareze.
Më vonë ky term u zëvendësua me termin “Austri” dhe “Gjermani”, çka vijon të mbijetojë edhe sot e kësaj dite.
Përtej saj, Konica në atë shkrim theksonte se Anglia, Franca dhe Austria ishin kombet që ia donin të mirën më shumë shqiptarëve. Shkrimi nën titullin: “Albania dhe shtypi i Evropes” që mban firmën e Konicës, merrte shkas nga botimi i një artikulli me tendenca pozitive rreth shqiptarëve shkruar nga francezi Leon Kahun, cili supozonte se nëse shqiptarët do kishin nevojë t’u dilte në krah ndonjë fuqi e madhe për të plotësuar objektivat e tyre kombëtare, atëherë Franca sipas tij, duhej të ishte në krah të tyre.