Sport Arsenali shkarkon maskotën prej krizës nga pandemia, Ozil i ofron rrogën nga...

Arsenali shkarkon maskotën prej krizës nga pandemia, Ozil i ofron rrogën nga xhepi

Jerry Quy është njeriu që i jep jetë maskotës së Arsenalit, dinozaurit Gunnersaurus

Për 27 vjet rresht, anglezi Jerry Quy i ka “vjedhur” një buzëqeshje tifozëve të Arsenalit në stadiumin e Highbury, dhe më pas në modernen Emirates Stadium.

Por pandemia ndryshoi gjithçka, sepse tashmë stadiumi i Arsenalit është i boshatisur nga tifozët e zjarrtë, pothuajse të gjithë të abonuar, që mbushin tribunat, dhe roli i tij ka dalë jashtë funksionit.

Kjo sepse Jerry Quy është njeriu që i jep jetë maskotës së ekipit , dinozaurit Gunnersaurus, emër i marrë nga nofka “Gunners” (Topçinjtë) që karakterizon ekipin londinez të krijuar në 1886.

Zgjatja e masave kundër COVID-19 e ka lënë atë pa punë, por vendimi i drejtuesve të Arsenalit ka gjetur kundërshtimin e shumë tifozëve, ku disa prej tyre nuk kujtojnë një ndeshje pa maskotën.

Por fati i Gunnersaurit mund të ndryshojë falë zemërgjerësisë së yllit gjerman Mesut Ozil. Gjermani me origjinë turke ka deklaruar në Twitter se ai do t’i sigurojë Jerrit rrogën e tij për sa kohë të jetë lojtar i Arsenalit.

Një gjest i duartrokitur nga shumë, por që mund të përfaqësojë edhe një “thumbim” indirekt ndaj politikave të ekipit, që e ka lënë pothuajse mënjanë, nga momenti që mesfushori me tipare sulmuese nuk ka luajtur ende në Premier League.

Por nuk është fundja e thënë që Gunnersauri të qendroi tek Arsenali. Disa ekipe kanë ofruar në rrjetet sociale ta marrin , si të ishte pjesë e merkatos së futbollistëve. Më konkretja dhe e drejtpërdrejta ka qenë Sevilla, në Spanjë. Një Sevillasaurus mund t’i përshtatej thjeshtësisht klimës së ngrohtë mesdhetare.