Ishte folur shpesh se Cristiano Ronaldo është një lloj “kanibali” i cili dëshiron që një repart apo një skuadër e tërë të luajnë për të ndihmuar atë të shënojë sa më shumë gola, ndërsa tani vjen edhe konfirmimi direkt.
Ka zbuluar gjithçka Karim Benzema, sulmuesi që u përshtat më së miri me portugezin në repartin e avancuar dhe për më tepër, gjatë kohës që kanë luajtur bashkë, Cristiano Ronaldo ka kaluar vitet më të arta të karrierës së tij.
Në një intervistë të dhënë për programin “Universo Valdano”, sulmuesi francez ka folur për bashkëjetesën me Cristiano Ronaldon dhe ka pranuar se i është dashur të modifikojë stilin e tij të të luajturit për të ndihmuar portugezin.
“Te Lioni luaja në një mënyrë tjetër, ndërsa tani po argëtohem shumë, pasi prek shpesh topin dhe jam gjithmonë pjesë e lojës. Me Cristianon më është dashur të modifikoj stilin tim të lojës, pasi luaja për të. Kisha në krah njërin që bënte dyfishin apo trefishin e golave të mi dhe më duhej të adaptohesha. Kam menduar që nuk do të më kushtonte asgjë po të ndryshoja stilin tim të lojës dhe t’i pasoja më shpesh atij. Kam lënë mënjanë egon time prej golashënuesi”, u shpreh Benzema.