Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se kur partia e tij të vijë në pushtet, çdo vit për sektorin e bujqësisë do të akordohet 100 milion euro.
Gjatë një prononcimi për mediat, pas disa takimeve që ai zhvilloi me biznese në Lushnjë, kyeopozitari Basha tha se plani i PD-së është një Shqipëri ku të fitojnë të gjithë.
Mes të tjerash ai pohoi se do të hiqet taksa “Rama” për karburantin.
“Çdo vit, do të kemi 100 milionë euro subvencione drejtpërdrejt tek fermeri dhe 50 milionë euro për infrastrukturën për bujqësinë. Nga pamundësia dhe mbijetesa, fermeri do të kalojë tek mundësia për të krijuar të ardhura mbi 1 milionë lekë, siç është sot fermeri i Kosovës apo Maqedonisë. Fermeri nuk ka pse të jetë skllav si sot, por të jetë shtresë e mesme. Plani ynë fuqizon bujqësinë dhe agrobiznesin me qëllim rritjen e punësimit. Shëron plagën e largimit të rinisë nga Shqipëria. Kjo që propozojmë, është një Shqipëri tjetër, ku nuk përfiton vetëm kryeministri me një grusht oligarkësh, por përfitojnë të gjithë. Që asgjë mos të hidhet në kanal dhe asgjë mos të shkojë kot. Që produkti jo vetëm mos të hidhet, por të konkurrojë denjësisht. Me këtë plan do të shërojmë dhe një plagë që është largimi i të rinjve nga Shqipëria. S’ka familje në Lushnjë, në Fier, që nuk largohen nga vendi, për një jetë më të mirë. Ata që duhet t’i mbajnë në punë s’kanë më të ardhura dhe i heqin. Një tjetër masë që do të hiqet, është taksa ‘Rama’ mbi karburantin. Rama e rriti me 20 lekë për litër karburantin, pavarësisht protestës së opozitës.”, -tha Basha.