Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat është shprehur se sipas Bankës Botërore më shumë se 40% e shqiptarëve do të jetojnë me më pak se 4 Dollarë në Ditë.
Po ashtu Basha tha se blerjet në farmaci po bëhen me lista për shkak të qeverisë, e cila nuk zbaton planin e tij. Ai hodhi akuza kundër qeverisë, duke thënë se nuk po ndihmon qytetarët dhe po i lë të vetëm në luftën me COVID-19.
“Për shkak të mungesës së masave nga shteti, Banka Botërore parashikon që mbi 40% e shqiptarëve do të jetojnë me më pak së 4 Dollarë në ditë.
Kemi propozuar që pensionistët të marrin një shtesë prej 20 mijë Lekësh në muaj. Sado të fshihen shifrat e të infektuarve, qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot. Blerjet me listë në farmaci janë sot rregulli, jo përjashtimi.
Po rritet në mënyrë të frikshme numri i njerëzve që marrin ilaçe me listë. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit të pacientëve me COVID në kushtet e shtëpisë.
Banka Botërore ka përkeqësuar parashikimin për rënien e ekonomisë shqiptare. Qeveria vazhdon të marrë borxh, por paratë nuk i çon tek njerëzit”, u shpreh kreu i PD.