Kryesore “Maska e detyrueshme”, Basha: Rama po grabit, i çon lekët e shqiptarëve...

“Maska e detyrueshme”, Basha: Rama po grabit, i çon lekët e shqiptarëve te inceneratorët

Dy javë pasi propozoi planin pesë pikësh dhe e ftoi kryeministrin Edi Ramën ta zbatojë atë, me qëllim përballimin e krizës ekonomike dhe frenimin e situatës së Covid-19, shefi i opozitës, Lulzim Basha nuk nguroi t’i bëjë të fundit paralajmërim kryeministrit nga selia blu.

“Nuk pret koha deri më 25 prill. Nëse këto dy javë i jam drejtuar me civilitet sot i them se mos zbatimi i planit me 5 pika që është përgjigjja e duhur në kushtet aktuale të Shqipërisë e ngarkon Edi Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi penale. Çdo dëm, nesër nuk do të jetë vetëm  një problem i madh për qytetarët dhe përgjegjësi politike por do të ndiqet dhe si përgjegjësi penale”, tha Basha.

Paratë në buxhetin e shtetit tha se qeveria i ka, por destinacioni i taksave të shqiptarëve sipas kryedemokratit shkon në xhepat e klientëve të kryeministrit, duke iu rikthyer edhe një herë koncesioneve të tre inceneratorëve, atij të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

“Kam burime financiare të limituara tha sot s’jap çek 160 mijë lekë se paratë Rama i ka për Klodian Mërtirin për bandën e Lushnjes që me Ramën, Ahmetajn dhe ndonjë drejtues medie. Ja për ça i ka shkuar mendja Ramës javën e shkuar, tabela e thesarit që tregon në katër ditët e fundit 2 mln euro për inceneratorët të Fierit dhe Tiranës. Shkoni në Fier shiheni ka një lëndinë e gardh e karabina që duket sikur e ka minuar Nato, për atë deri tani janë paguar 24 mln euro”, shtoi Basha.

I ashpër ishte edhe kur foli për gjobitjen e qytetarëve në rast se nuk do të mbajnë maskën në ambiente publike. “Për gjoba është i vetmi Rama, ça do i bësh pensionistit kur  s’ka buke t’i ça i thua do ju gjobis”, u shpreh Basha.

Pesë pikat e Bashës:

“Pika e parë e planit: mbështetja e përgatitja e sistemit shëndetësor, duke rritur numrin e testimeve në 2500 në ditë. Çfarë ka bërë? Më thuaj… ju e ndiqni, dhe del sot e thotë do mbani maska, ndryshe ju gjobis. Po ata që s’kanë të blejnë bukën e fëmijëve me ça do i blejnë? Pse nuk ke marrë masa, për maska falas?

Pika e dytë: Arsim i sigurt, fëmijët e mësuesit të jenë të sigurt. 70 % e shkollave janë pa ujë të rrjedhshëm. Vetëm ai mbyll sytë, del sot e thotë maskën ose të gjobis, po ata që s’kanë para? Po ai me 50 mijë lekë ndihmë ekonomike? Testim periodik për stafin ndihmës. Kosova e bën, po këtu thonë për çfarë duhet..

Pika tre: Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore. Kushdo ka humbur vendin e punës të përfitojë një çek mujor. Një fond punësimi për bizneset për të rimarrë në punë atë që e ka hequr nga puna. Dyfishim i ndihmës ekonomike, po prapë nuk mjafton. Nëse do bënte këtë realitet, mund të thoja që edhe një pensionist mund ta blejë. Po siguroja maskën.

Pika katër: Ndihma për biznesin e vogël mbështetje drejtpërdrejtë, një cek 1000 euro, taksat ia ka marrë kokërr më kokërr, edhe pagat e luftës i dorëzoi si pagesa sigurimesh apo taksa.

Pika pestë: Rikonceptimi nga skemat e garancisë sovrane për t’u bërë më e aksesueshme nga biznesi. Ky propozim ka dy javë në tavolinë, e kanë mësuar edhe shqiptarët planin me 5 pika. I vetmi që s’ia ka vënë veshin, është njeriu që paratë që dalin e teprojnë ua jep ditë për ditë në mënyrë kriminale, klientëve të tij”.