Kuriozitete Një asteroid i lashtë, mikpritës i jetës

Një asteroid i lashtë, mikpritës i jetës

Nga njëfarë distance, asteroidi Bennu duket si një shkëmb që lundron nëpër hapësirë. Por shkencëtarët tani kanë një pamje nga afër falë anijes kozmike të NASA-s OSIRIS-REx, e cila pritet të ulet në sipërfaqen e asteroidit më 20 tetor. Vëzhgimet e reja tregojnë se terreni dhe origjina e Bennu-t janë më të pasura dhe më komplekse se sa ç’mund të ketë ëndërruar çdo shkencëtar.

Në gjashtë studime të botuara sot në revistat “Science” dhe “Science Advances”, ekipi OSIRIS-REx paraqet të dhëna të reja të hartave me rezolucion të lartë, të mbledhura që nga ardhja e anijes në 2018 në Bennu. Të marra së bashku, studimet paraqesin detaje të reja në lidhje me trupin më të vogël qiellor që një anije kozmike ka orbituar ndonjëherë – të dhëna që plotësojnë një vakum në njohjen që shkencëtarët kanë për asteroidet.

Bennu është pjesë e një kategorie asteroidesh që dihet se përmbajnë molekula organike që mbajnë karbon – përbërës thelbësorë për jetën që ne njohim në Tokë – si dhe minerale që ndryshojnë në prani të ujit. Studiuesit dyshojnë se të paktën disa nga uji dhe molekulat organike të Tokës erdhën nga asteroidet, kështu që objekte si Bennu mund ta kenë sjellë në Tokë kimikatet e nevojshme për jetën.

Bennu gjithashtu paraqet një rrezik të mundshëm për sigurinë e planetit tonë. Orbita e tij përshkon Tokën dhe ka afërsisht një shans në 2 700 që mund të përplaset me planetin tonë në fund të viteve 2100, çka e bën studimin e detajuar të asteroidit edhe më të rëndësishëm.

Uji

Megjithëse shumë prej gurëve që përbëjnë Bennu datojnë që në fillimet e sistemit diellor, vetë Bennu është produkt i kaosit më të fundit. Studiuesit mendojnë se rreth një miliard vjet më parë, një përplasje e madhe shkatërroi një objekt të gjerë 60 milje. Kataklizma krijoi shumë mbeturina, duke formuar një numër asteroidesh më të vegjël që përfshin Bennu.

Në fillesat e tij, asteroidi kishte nxehtësi të mjaftueshme për të mbajtur ujë të lëngshëm në sipërfaqe. Ndërsa ky ujë lëvizte nëpër asteroid, ai ngadalë depozitoi minerale karbonatike brenda thyerjeve nëpër të cilat kaloi. Më vonë, kur graviteti e skaliti asteroidin, disa nga këto venat minerale fillestare mbijetuan të paprekura, brenda gurëve të shpërndarë tani në sipërfaqen e Bennu.

Më e madhja nga këto vena karbonatike shtrihet në më shumë se tre metra gjatësi. Gjerësia dhe madhësia e venave nënkuptojnë që për mijëra – në mos miliona – vjet, asteroidi në formën fillestare kishte një sasi të konsiderueshme aktiviteti hidrotermik.