Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë thirrje të gjithë qytetarë që të mbajnë maskën dhe në ambiente të hapura.
Në një video të publikuar në mediat sociale, Manastirliu shfaqet me maskë dhe shprehet se mbajtja e maskës tashmë duhet bërë zakon në përditshmërinë e gjithsecilit.
“Sapo dola nga shtëpia për të vajtur në punë dhe mbajta maskën. Mbajtja e maskës do të jetë një detyrim i ri që nga dita e enjte, por askush nuk na pengon që të mësohemi që sot, ta bëjmë pjesë të gardërobës, të mbrohemi dhe të ulim infektimet. Pse duhet të hedhim poshtë gjithë atë sakrificë që kemi bërë pak muaj më parë?”, shprehet ministrja.
Më tej numri një i shëndetësisë shton se të gjithë bashkë duhet të frenojmë virusin dhe të gjithë duhet të mbajnë maskë për të qenë më të sigurt.
“Të frenojmë virusin, të evitojmë sa mundemi format e rënda në reanimacion dhe fatalitetet. Pavarësisht kapaciteteve spitalore dhe përgatitjes që kemi bërë dhe po bëjmë për t’u përballur me virusin, është jeta e shqiptarëve që ne duhet të mbrojmë, ndaj secili nga ne ka detyra për të përmbushur në këtë betejë. Të ndihmojmë veten dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin duke vendosur barrierat mbrojtëse”, shprehet Manastirliu.
Vendimi për mbajtjen e maskës dhe në ambiente të hapura është njoftuar që të shtunën nga kreu i qeverisë dhe ministrja Manastirliu. Ata në një konferencë për mediat u shprehën se nga e enjtja maska do mbahet kudo.