Kryesore Meta paralajmëron Ramën: Respekto 5 Qershorin, ose do të kesh një President...

Meta paralajmëron Ramën: Respekto 5 Qershorin, ose do të kesh një President “të shkalluar”

Deklaratave të kryeministrit Edi Rama se Ilir Meta u zgjodh President i vendit në vitin 2017 me votat e LSI-së, kreu i shtetit u është përgjigjur duke thënë se ka mbajtur çdo premtim të bërë për mbrojtjen e Kushtetutës.

Në një postim në Facebook, Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të respektojë marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur në Këshillin Politik mes PS-PD-LSI. Në të kundërt, thotë Meta, ditën e zgjedhjeve më 25 Prill, Rama do të përballet me një “President të shkalluar”, por edhe me revoltën e qytetarëve shqiptarë.

“Meqenëse Kryepinoku Rilindas u justifikua për zgjedhjen e detyruar para tre vitesh të “Presidentit të shkalluar”, më duhet t’ju kujtoj të gjithë socialistëve se Ilir Meta ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar. Unë u kam bërë të qartë se midis Pushtetit dhe Demokracisë, kam zgjedhur gjithmonë Demokracinë se pushtet ka edhe në vendet jodemokratike, ku të drejtat e qytetarëve shtypen e dhunohen.

Tani ju e kuptoni se çdo njeri që nuk blihet e frikësohet prej tij është “i shkalluar”. Bën mirë të reflektojë dhe të respektojë 5 Qershorin se përndryshe në 25 Prill do të ketë jo vetëm një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh”, deklaron Meta.