Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.