Nga Leonard Karaj
Qasja demokratike që PD-ja tentoi të bënte me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë ishte ca si shumë “skandinave” në një vend me pluralizëm hibrid. Që në fillim kur Basha erdhi në drejtim të kësaj force politike, tentoi të bënte një opozitë ndryshe, më europianiste, më pak radikale, por shumë larg kontekstit shqiptar. Nuk mund të sillesh si danez apo holandez, në një vend si Shqipëria… Një gjë e tillë u vërejt edhe në përzgjedhjen e kandidaturave, proces ky i proklamuar me shumë bujë nga kryesia e PD-së. Për të qenë sa më të qartë: ideja e këtyre “primareve” ishte/ është për tu lavdëruar, por mënyrës së implementimit, la shumë për të dëshiruara.
Si fillim, fakti se nuk kishte kritere rigoroze, të mirëpërcaktuara për ata që duhej të ishin në këto lista, bëri që kandidatë për deputetë të figuronin edhe personazhe gati groteske, jo rrallë herë edhe ordinerë lokalë, që përkundrejt një propozimi nga “vëllezër siamezë” brenda PD-së, e shkruajtën emrin e tyre në “kandidatë të mundshëm” për deputetë. A ishte kjo një qasje qytetare për një parti që pret të vijë në qeverisje? Unë them se jo… madje gati-gati e ktheu këtë proces në “alla portokalli” – “hë mo të jem në listë, se deputet nuk bëhem, por të paktën një drejtorllëk do ta kap”. Kjo ishte ajo çka prodhoi më së shumti faza e parë.
Më pas seleksionimi rriti disi besueshmërinë e këtij procesi, por nuk largoi problematikën në vetvete, pasi inatet brenda familjes, nëse kishte të tilla dhe ende jo të dukshme, tanimë morën formë dhe trajtë, duke u kthyer në problem. Arsyeja qëndronte tek mënyra e përzgjedhjes, pasi në vend që të kualifikoheshin ata që merrnin më shumë vota, ndodhi e kundërta: skualifikoheshin ata që votoheshin më shumë. Kjo lloj përzgjedhjeje është tipike për kohë pandemie si COVID-19, ku gëzohesh se del negativ…, pra lumturohesh se merr pak vota. Tani, se cili “mendjendritur” në PD shpiku këtë mënyrë votimi, në gjykimin tim, do duhet konsideruar për “Nobelin e ligësisë”.
Pikërisht, mënyra sesi duhej të skualifikoheshin nga lista kandidatët ishte më e keqja e mundshme. Nuk besoj se ish-kryebashkiaku i Kukësit është larguar nga lista se nuk parapëlqehej nga anëtarësia e PD-së në atë qark. Përkundrazi. Ky i fundit (të paktën ky), është votuar për të qenë pjesë e listës, por fatkeqësisht ata që patën votuar ishin në padituri të plotë të këtij koncept-votimi. Diçka ndryshoi në ditët në vijim (duke vërejtur problematikat e hasura në Kukës, qarku ky që bëri i pari të tilla zgjedhje), por gjithsesi pa krijuar cilësi, pasi në 90% të rasteve, të gjithë kandidatët u konfirmuan nga anëtarësia, a thua se PD-ja ka kaq shumë kapacitete se mund të nxjerrë mi 1000 deputetë. Teksa “ndëshkimi” i disa figurave si në Pogradec për shembull me z.Balliu dhe me ish-kryebashkiakun Kapri u pa qartë se më së shumti kemi të bëjmë me inate personale, sesa me përzgjedhje për shkak gjoja të kontributit të vakët të këtyre të fundit. Të mos harrojmë se të paktën Klevis Balliu, ka qenë një nga deputetët dhe ish-deputetët më aktivë të PD-së gjatë tre viteve të fundit, ndaj në gjykimin tim, askush më shumë sesa ai nuk do ta meritonte që të ishte sërish në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj force politike. Askush më shumë sesa z.Balliu nuk ka qëndruar i palëkundur, ditë-natë, ndaj një kauze madhore si ajo e Unazës së Madhe, ndërkohë që një pjesë shumë e madhe e ish-deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë së PD-së ishin dhe janë ende në gjumë letargjik. Në këtë kontekst, a ka sens dhe a mund të konsiderohet i drejtë votimi i anëtarësisë së PD-së, kur lihet jashtë një politikan kaq aktiv edhe në kohë kaq të vështira sa kundër ka kaluar PD-ja gjatë tre viteve të fundit (!!??)…
Si përfundim, ky proces më shumë i vlen Bashës për “ta zhveshur” nga një lloj përgjegjësie, por jo se lista e kandidatëve nuk do të dalë ashtu sikundër do dëshirojë ky i fundit dhe lidershipi i PD-së.
Ndaj do të ishte naivitet të besosh se lista e deputetëve realisht të përcaktohej nga anëtarësia. Dhe kur vëren me kujdes propozimet e bëra që në fillim nga anëtarësia dhe mënyra e votimit, “ndërhyrja” e lidershipit të PD-së në përpilimin e kësaj liste do të ishte tejet e justifikuar, pasi në të kundërt, nëse do ti lihej tërësisht në dorë të anëtarësisë, nuk do ishte çudi që të kishim një listë pak të thuash, mediokre dhe ordinere.