Duhej të ishte një paradë “yjesh”, me Kylian Mbappénë dhe Cristiano Ronaldon që do të udhëhiqnin rrugën drejt një mbrëmjeje gala. Përkundrazi, Francë-Portugali nuk dha shumë emocione, rezultati final 0-0 është pasqyra e pak mundësive të krijuara nga të dyja skuadrat.
Një nga momentet më të rëndësishme të sfidës ishte, pa dyshim, takimi mes dy kampionëve: një goditje në gjoksin e francezit nga CR7 dhe buzëqeshje, që kanë krijuar pështjellim në mendjen e tifozëve të Juventusit.
Skenë që, në fakt, të kujton shumë atë të finales së Ligës së Kombeve 2019 midis Portugalisë dhe Holandës. Atëherë Ronaldo mori mënjanë De Ligt dhe i kërkoi të transferohej tek Juventusi, siç u zbulua në të vërtetë nga mbrojtësi i ri holandez.
Admirimi i Mbappé-së për Ronaldon është në nivelin më të lartë, siç dëshmohet nga ky postim i publikuar në Twitter menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare.
Idol 👑🐐… @Cristiano pic.twitter.com/uZGEXnhuUB
— Kylian Mbappé (@KMbappe) October 11, 2020
Emoji i dhisë (për G.O.A.T. ose “Më i madhi i të gjitha kohërave”) dhe i kurorës për të simbolizuar se si për Mbappé-n kampioni luzitan është një shembull, modeli që duhet ndjekur.
“France Football” ka kujtuar një deklaratë të vjetër të talentit francez: “Nëse do të më duhej të zgjidhja një mes Messit dhe Ronaldos për të luajtur krah meje, do të ulesha në stol dhe do t’i bëja të luanin bashkë për të qenë i sigurt për fitoren”.