Uli maskën për të pirë një cigare gjatë pushimit të punës dhe tashmë duhet të paguajë 400 euro gjobë. Kjo ngjarje është regjistruar në Pavia të Italisë, ku një bariste u sanksionua nga policia jashtë lokalit ku ajo punonte pasi “nuk mbante maskën në një zonë me fluks të madh njerëzish”.
Pronarja e baristes, Samanta, u shpreh se do ta kundërshtojë këtë gjobë pasi ishte e panevojshme dhe sepse të gjithë i zbatonin me përpikmëri rregullat e vendosur për koronavirusin. Ajo shton se në momentin që efektivët gjobitën punonjësen e saj në lokal kishte shumë pak klientë të cilët ishin në një largësi të konsiderueshme.
Në dy ditët e fundit, pasi baristja u gjobit “janë shumëfishuar manifestimet e solidaritetit drejt nesh dhe kjo na sjell kënaqësi sepse tregon profesionalizmin tonë. Klientët janë ofruar për të na ndihmuar për të plotësuar shifrën e gjobës, por unë jam i drejtuar avokatit”, përfundon Samanta.
Vendosja e maskës në ambientet e hapura po bëhet një masë e përhapur në shumë vende të Europës, nga e enjtja dhe në Shqipëri do të vendosen gjoba për këdo që nuk zbaton këtë rregull.