Kompania Johnson & Johnson tha të hënën se ka ndaluar provat klinike të përparuara të vaksinës së saj eksperimentale të koronavirusit, për shkak të një sëmundje të pashpjegueshme tek një nga vullnetarët.
“Duke ndjekur udhëzimet, sëmundja e tij po shqyrtohet dhe vlerësohet nga Bordi i Pavarur i Monitorimit të Sigurisë së të Dhënave (DSMB) si dhe nga mjekët tanë të brendshëm klinikë dhe të sigurisë”, tha kompania në një deklaratë.
Kompania nuk zbuloi detaje të tjera, por një pikë e fortë e provave klinike është të zbulojnë nëse vaksinat shkaktojnë efekte anësore të rrezikshme. Provat ndërpriten kur ato shfaqen ndërsa mjekët kontrollojnë nëse sëmundja mund të lidhet me vaksinën apo është një rastësi.
“Studimet tona mund të ndërpriten nëse shfaqet një efekt i papritur serioz anësore që mund të ketë lidhje me vaksinën, kështu që mund të ketë një rishikim të kujdesshëm të të gjithë informacionit mjekësor përpara se të vendoset nëse do të rifillohet studimi, ” tha kompania.
“Ne duhet të respektojmë privatësinë e këtij vullnetari. Ne po mësojmë gjithashtu më shumë rreth sëmundjes së tij dhe është e rëndësishme të kemi të gjitha faktet para se të ndajmë informacione shtesë. Efektet serioze anësore nuk janë të rralla në provat klinike, dhe numri i tyre pritet që mund të rritet në provat që përfshijnë një numër të madh të pjesëmarrësve.”, shtoi kompania.
Një pauzë e tillë nuk është shqetësuese, deklaroi Dr. Ashish Jha, dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik të Universitetit Brown.
“Kjo pritet plotësisht, dhe është vetëm një kujtesë se sa qesharake është të përpiqesh të plotësosh një afat kohor politik për të pasur një vaksinë para 3 nëntorit”, tha Jha për CNN.
Kjo është prova e dytë e vaksinës së koronavirusit që ndalet në fazën e tretë në SHBA. Prova e vaksinës së AstraZeneca u ndalua muajin e kaluar për shkak të një ndërlikimi neurologjik tek një vullnetar në Britani.
Prova e fazës së tretë e vaksinës së Johnson filloi në shtator. Kjo është një nga gjashtë vaksinat e koronavirusit që testohen në SHBA, dhe një nga katër prej tyre që ndodhen në fazën më të përparuar, atë të tretë.
Vaksina e kompanisë farmaceutike amerikane është konsideruar si një nga kryesoret në mesin e disa vaksinave potenciale në botë.