Aktualitet 100 kg lëndë narkotike, armë dhe municione, 4 të arrestuar në Fier

100 kg lëndë narkotike, armë dhe municione, 4 të arrestuar në Fier

Policia e Fierit ka arrestuar katër persona, mes tyre dy gra dhe ka proceduar penalisht një tjetër pasi iu gjetën armë, drogë dhe municion luftarak.

Në pranga ranë R. (D). B., 57 vjeç, banues në Hamil, Fier, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe S. K., 38 vjeç, E. K., 33 vjeçe, E. K., 31 vjeçe, banuese në Ndermenas, Fier.

Në bazë të hetimeve të kryera , uniformat blu kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R.(D). B, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë personat e lartpërmendur.

Gjatë kontrollit të kryer në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa në proces tharjeje, 1 automatik me 2 krehra dhe 310 fishekë, 2 freskuese që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, 1 pres metalike që shërbente për presimin dhe paketim e lëndës narkotike, 7 palë gërshërë, 1 motoçikletë me targa të falsifikuara e trafikuar nga jashtë vendit, 4 aparate celularë, si dhe disa bimë të dyshuara narkotike të kultivuara në ambientin përreth banesës së 57-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.