Një person në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është riinfektuar me COVID-19, dhe hera e dytë ishte më e rrezikshme se e para.
Konfirmimi erdhi nga mjekët, të cilët theksuan se herën e dytë, 25-vjeçari kishte nevojë për trajtim në spital pasi mushkëritë nuk po mbusheshin me oksigjen të mjaftueshëm.
Riinfektimi me koronavirus është i rrallë, por rastet kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kohëzgjatjen e antitrupave kundër Covid-19.
25-vjeçari i riinfektuar është shëruar plotësisht, ndërsa rasti i tij është marrë në studim.
Shkencëtarët thonë se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje tjetër bashkëshoqëruese apo mangësi në sistemin imunitar. Studiuesit deklaruan se imuniteti i 25-vjeçarit nuk u forcua më shumë pas infektimit herën e parë me Covid-19.
Shkencëtarët kanë vlerësuar kodet gjenetike të virusit të marrë në të dy rastet e infektimit dhe zbuluan se ato ishin shumë të ndryshme.
“Zbulimet tona dolën në konkluzionin se infeksioni i mëparshëm nuk mund të mbrojë domosdoshmërisht nga infeksionet e tjera. Riinfektimi mund të shfaqet me komplikacione më të mëdha”, tha studiuesit Mark Pandori nga Universiteti i Nevadas.
Ai bëri thirrje që edhe ata persona të cilët kanë kaluar njëherë Covid-19, të qëndrojnë me maska, të ruajnë higjienën dhe të respektojnë distancën fizike. Janë të rralla rastet kur pacientët infektohen për herë të dytë me Covid-19, aq më tepër në gjendje të rënduar. A bëhen të gjithë imunë? Edhe ata që kanë kaluar infeksionin me simptoma të lehta? Këto janë pyetje që do të duhet të marrin përgjigje në të ardhmen.