Jo vetëm opozita, por edhe mazhoranca kërkon ndërhyrjen e SPAK për të hetuar çështjen e administrimit të mbetjeve urbane në kryeqytet. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i kërkoi prokurorisë së posaçme të hetojë kreun e demokratëve Lulzim Basha, për vendimin që kishte përgatitur gjatë kohës kur ishte kryebashkiak për administrimin e mbetjeve në Tiranë.
“Ajo që gjeta në Bashkinë e Tiranës është një propozim i shkruar nga Lul Basha, që i jep OK dhe e firmos më vonë, që plehrat të shkojnë të gjitha në Sharrë, tek ajo Sharra që përpara 5 vitesh e gjetëm mullar me plehra, një bombë ekologjike, një bombë politike, një bombë humane, bombë e të gjitha kuptimeve, ku vetëm digjej dhe ti nuk hapje dot ballkonin, as dritaren. Kompania që unë gjeta atje, me ata shokët e Megatek-ut, ishin ortakë me kunatin e Lulit dhe unë pyes veten: Ore ky SPAK-u, çfarë bën? Si mund të jetë kryetari i bashkisë me kunatin e vet dhe të jenë në çdo lloj biznesi, në çdo lloj biznesi”?
Sipas Veliajt çmimi që paguhet sot për një ton mbetje është shumë më i ulët se çmimi që kishte parashikuar bashkia që drejtohej nga Lulzim Basha.
“Jo vetëm kaq, jo vetëm që ishte 30% më lart dhe ne e ulëm, por ai thoshte – Që në fillim qyteti i Tiranës duhet të paguajë 34.6 milionë euro me investimet. Ne sot s’paguajmë fare. Një parti që është e denjë për emrin bandë, kështu që po ka njerëz te SPAK-u, po ka njerëz në prokurori, këta duhet të zgjohen, se nuk mund të vihet gjobë në çdo biznes dhe thirrja për çdo biznes është: Mos paguani gjobat që ju vë Luli dhe kunati”.
Veliaj tha se halli i Bashës është pazari i prishur me kompaninë që do menaxhonte plehrat në kohën e tij, e cila do i kushtonte qytetarëve shumë herë më shtrenjtë.