Drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano në një prononcim të shkurtër për mediat nga aeroporti i Rinasit pas mbërritjes në Shqipëri të 4 fëmijëve dhe një gruaje nga kampi i Al-Holit në Siri, u shfaq i emocionuar dhe u shpreh i rezervuar lidhur me detaje nga operacioni i shpëtimit që siç tha ishte shumë kompleks.
Ai u shpreh i bindur në vijimin e operacionit për të shpëtuar fëmijët e tjerë, që prej vitesh kanë ngecur në kampin e ferrit.
“Veç detajeve që s’mund t’i bëjmë të ditura janë edhe emocionet, jo vetëm si punonjës i policisë, por edhe si prind për të shpëtuar jetën e 4 fëmijëve.
Po presim vetëm kryerjen e procedurave për të udhëtuar në misionin tjetër. Problematikë tjetër është se dhe në Liban situata s’është e lehtë, u nisëm për disa ditë dhe qëndruam në mision 5 javë. Ka 1500 të prekur nga koronavirusi në Liban, këto problematika na kanë bërë të ecim më ngadalë”, u shpreh kreu i Antiterrorit.
Pesë shqiptarët që u shpëtuan nga kampi Al-Hol në Siri, mes të cilëve katër fëmijë, mbërritën mesditën e së martës në aeroportin e Rinasit nën shoqërinë e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.