Sfiduesi demokrat Joe Biden po e akuzon presidentin se është dorëzuar përballë koronavirusit, ndërsa Presidenti Donald Trump i kundërpërgjigjet gjatë aktiviteteve rivale në një shtet që pritet të jetë përcaktues për zgjedhjet.
“Donald Trump është presidenti më i keq i mundshëm, personi më i keq që mund të na udhëheqë në këtë pandemi”, tha Biden në Chester të Pensilvanisë, gjatë një ndalese elektorale të hënën pasdite.
Disa orë më vonë, Presidenti Trump e quajti kundërshtarin e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, “një kandidat patetik” dhe mohoi se administrata e tij ka ngritur “flamurin e bardhë të dorëzimit” në luftën kundër koronavirusit, siç pretendon Biden.
Duke folur me gazetarët në pistën e aeroportit në Allentown, përpara zhvillimit të tubimit të parë nga tre të tillë në Pensilvani, Presidenti Trump tha se Biden “po tund flamurin e bardhë përballë jetës. Ai duhet të dalë nga bodrumi i tij. Ai nuk po largohet nga bodrumi i tij”.
Biden zhvilloi dy tubime me makina në Pensilvani, duke respektuar udhëzimet për distancimin fizik dhe tha se do të marrë pjesë në aktivitete të ngjashme në ditët në vazhdim në shtete si Ajova, Uiskonsin, Xhorxhia dhe Florida.
Ish-nënpresidenti gjithashtu e kritikoi Presidentin Trump për mohimin e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe për pretendimin se po sheshohet kurba, ndërkohë që vuri në dukje se presidenti sugjeroi që mjekët po i fryjnë shifrat pasi duan të fitojnë më shumë.