Një 70-vjeçar nga Thumana e Krujës është arrestuar nga Policia e Fierit pasi brenda një jave mashtroi një numër të konsiderueshëm qytetarësh, duke u marrë para me premtimin se do t’i punësonte në një firmë private.
70-vjeçari me iniciale H.Sh. ka qenë i proceduar edhe dy herë të tjera për të njëjtën vepër penale, mashtrimin.
Hetimi i policisë së Fierit filloi pas denoncimit që bëri një qytetar, duke thënë se 70-vjeçari po mashtronte njerëzit me premtimin se do t’i punësonte në një firmë private, në të cilën pretendonte se ishte menaxher.
Policia thotë se nga verifikimet rezultoi se nga data 23 Tetor deri më 27 Tetor, i moshuari mashtroi shumë persona duke u marrë shumë të konsiderueshme parash.
Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga 70-vjeçari në qytetin e Ballshit, u gjetën një sasi lekësh, dokumente të ndryshme me emrat e personave të mashtruar nga ky shtetas, fotokopje të mjeteve të tyre të identifikimit dhe kontrata noteriale me shuma me shuma që varionin nga 1400 Euro deri në 10.000 Euro të bëra me shtetasit që i kishte mashtruar me premtimin për t’i punësuar.