Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka shprehur sërish vendosmërinë e mazhorancës socialiste, por dhe të Kryeministrit Edi Rama, për të votuar në Parlament Kodin Elektoral dhe për të rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta që e rrëzoi.
Në një komunikim për mediat nga ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, Balla tha se opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë i mirëpritur, por ndryshimet në Kodin Elektoral do të miratohen sa më shpejt pa pritur se çfarë do të thotë “Venecia”.
Sipas tij, do të veprohet në këtë mënyrë për shkak të kohës së pamjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2020.
Balla theksoi se pasi të votohet kodi, në momentin që Komisioni i Venecias do të japë opinionin për këto ndryshime, atëherë do të merren në shqyrtim dhe do të vlerësohet për t’u bërë ndryshimet e nevojshme.
“Ne do ta dëgjojmë padyshim, por “Venecia” ka refuzuar kërkesën e Presidentit për një opinion urgjent. Pra e ka futur në një procedurë normale. Kjo është shumë domethënëse për ata që kuptojnë komunikimin. Në këtë këndvështrim, ne mbetemi të hapur por duke përllogaritur që çdo ditë që kalon është një ditë e humbur në përgatitjen e zgjedhjeve të 25 Prillit. Kodi do të hyjë në fuqi dhe më pas do të kemi mundësi të mund të adresohen edhe opinionet e “Venecias” edhe përtej 25 Prillit. Shqipërisë i duhet sot Kodi Zgjedhor në fuqi që institucionet të marrin kohën e përgatitjes së zgjedhjeve. Vetëm kështu si veprojmë ne është e mundur, e kundërta është e pamundur”, deklaroi Taulant Balla.
Eurokomisioneri për Zgjerim, Varhelyi i ka bërë thirrje qeverisë që të presë opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet në kod, ndërsa Kryeministri Rama është shprehur se mazhoranca do t’i votojë pasi nuk ka kohë për të pritur.