Finalizohet procesi përzgjedhës për kompaninë, që do të ndërtojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë të ditur emrin e kompanisë, e cila është shpallur fituese për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, teksa jep edhe detaje sa i takon ofertave të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë garë.
Sipas njoftimit të BERZH, kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro, u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore. INC S.P.A është një ndër një ndër kompanitë kryesore në Itali në fushën e infrastrukturave të mëdha. Ndërkohë në garën ndërkombëtare që u zhvillua, kompania TS-KALPATARU (KPTL) J.V ofroi 92.29 milionë euro dhe kompania SINOHYDRO- EEB J.V.A paraqiti ofertën prej 92.53 milionë euro.
I gjithë procesi për përzgjedhjen e kompanisë fituese u bë në bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në fazën e parë të tenderit, e cila konsistonte në paraqitjen vetëm të propozimit teknik, paraqitën ofertat e tyre 6 kompani, propozimet e të cilëve u vlerësuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin e BERZH “Ardanuy“.
Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së. Ky projekt është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, e synon lidhjen mes vendeve të rajonit, por edhe më gjerë.