Kryesore “Do të zgjedhim kush do të trajtohet i pari”, Basha: Kjo ndodh...

“Do të zgjedhim kush do të trajtohet i pari”, Basha: Kjo ndodh sepse paratë janë çuar te plehrat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në bashkëbisedimin e tij me gazetarët se është e papranueshme që ministrja e Shëndetësisë të thotë në Kuvend se “nëse do të kemi mbingarkesë të spitaleve, do të përballemi me zgjedhjen se kush do të trajtohet i pari”.

“Pse kemi ardhur në këtë pikë? Sepse paratë që duhet të shkonin për të mbështetur sistemin e shëndetësisë, i kanë vjedhur. Kush ia jep të drejtën e zgjedhjes? Taksat ua ka marrë, i çon te plehrat dhe pastaj thotë do të zgjedhim kush jeton e kush vdes. Kjo ndodh sepse paratë i ka çuar te koncesionet korruptive. Në kohë pandemie ka vazhduar të vjedhë dhe tani del me këtë deklaratë. Pothuajse 500 viktima zyrtare deri tani dhe Edi Rama vijon të tallet me shqiptarët dhe vijon sulmet ndaj opozitës dhe mediave”, tha Basha.

Sipas Bashës, “Qeveria ka dhënë 13,7 milionë euro për inceneratorët gjatë pandemisë. Edi Rama i ka paratë për të zbutur pasojat e pandemisë, por ka zgjedhje t’i ndajë me mafian e plehrave”.

“Gjendja e panikut që ka kapluar popullatën dhe shëndetësinë ka vetëm një përgjegjës. Politika e fshehjes së të keqes bën që numri i rasteve dhe viktimave të jenë më të ulta sesa shifrat reale. Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë nuk kanë marrë asnjë masë për t’i dalë para situatës, ndonëse kanë qenë të paralajmëruar nga ekspertët dhe opozita. Edi Rama vazhdon të injorojë thirrjet e OBSH-së për të shtuar numrin e testimeve”, shtoi kreu i PD-së.