Bota Atentatori i vrarë në Vjenë me “rrënjë shqiptare”

Atentatori i vrarë në Vjenë me “rrënjë shqiptare”

Policia ka bastisur sot në mëngjes vendbanimin e personit të vrarë, për të cilin dyshohet se ka qenë pjesë e sulmeve terroriste në Vjenë. Gjatë bastisjeve nuk ka pasur asnjë rezistencë, njoftojnë mediat austriake. Deri tani nuk ka informacione se çfarë është gjetur në këtë banesë. Sipas informacione në disa media austriake që përputhen me njëra-tjetrën bëhet e ditur se atentatori i dyshuar dhe i vrarë gjatë sulmeve, është një 20-vjeçar me origjinë shqiptare. Dyshohet se në sulmet terroriste kanë marrë pjesë edhe disa persona të tjerë. Numri i saktë i pjesëmarrësve në sulme mund të dihet vetëm pas përfundimit të hetimeve. Deri tani dihet se atentatori i dyshuar i vrarë ka pasur me vete një rrip fallco me mjete shpërthyese dhe një armë, konfirmoi ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer.

I pari ishte një gazetar i gazetës ditore “Der Falter”, i cili pohoi, pohon se 20-vjeçari i vrarë gjatë sulmeve ka lindur në Vjenë, por prindërit e tij janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut. “Personi i vrarë është i njohur për shërbimet sekrete austriake, pasi ishte në grupin e 90 islamistëve austriakë, të cilët donin të shkonin në Siri, për të luftuar në radhët e xhihadistëve të atjeshëm”, shkruan në Twitter gazetari austriak Florian Klenk.

Ky burim pohon se prindërit e personit të vrarë nuk kanë rënë në sy asnjëherë për qëndrime radikale. Policia austriake deri tani nuk i ka konfirmuar këto të dhëna. As autoritetet e ambasadës së Kosovës në Vjenë ende nuk kanë ndonjë konfirmim të lajmit, por pohojnë se janë në kontakt të ngushtë me autoritetet austriake si dhe autoritetet e vendeve të tjera në Vjenë dhe se gjatë ditës priten shpjegime shtesë. Burimet e afërta me policinë nuk e besojnë se ky person do të ketë mundur të planifikojë një sulm të këtillë, ndaj hetimet po vazhdojnë në të gjitha drejtimet.