Profesor Robin Shattock, një shkencëtar i cili po udhëheq një nga betejat britanike për vaksinën kundër COVID, paralajmëroi se “gjërat në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të kthehen në normalitet”, të paktën deri në verën e 2021.
Me “normale”, profesori nënkupton jetën pa masa kufizuese, bllokim, distancë dhe maska.
Shattock, i cili po punon për trajtimin në Imperial College të Londrës, ka shprehur shpresë se bota do të fillojë përdorimin e vaksinës në fillim të vitit të ardhshëm.
“Unë pres që popullatat e prekshme të vaksinohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe, nëse kemi një verë si kjo – me infeksione të reja në rënie – do të jetë një kohë kur jeta ngadalë do të fillojë të kthehet në normalitet”, tha ai për The Independent.
Profesori shpjegoi “hapat e parë” për të dalë nga pandemia, e cila varet nga vaksinimi i grupeve të rrezikut në popullatë, përfshirë stafet shëndetësore dhe të moshuarit. Shattock tha se vaksinimi i këtyre grupeve kryesore do të ishte një “ndërmarrje shumë e madhe logjistike”, por një ai e përshkroi si “ndryshimin e lojës”.
Ai shtoi: “Kjo nuk do të thotë se ka mbaruar, por do të na jepte një shans të fillojmë të dalim nga kjo situatë”.
Pavarësisht parashikimeve, Shattock pranoi se të përpiqesh të marrësh me mend të ardhmen në një botë plot koronavirus është pak a shumë si “të shikosh një top kristali”.
Njëmbëdhjetë vaksina të koronavirusit aktualisht janë në fazat e fundit të provave të mëdha. Shattock beson se të dhënat nga këto teste do të jenë në dispozicion në dy muajt e ardhshëm, pas së cilës do t’u paraqiten rregullatorëve për aprovim.
Profesori pret që vaksinat e para të jenë në dispozicion pas Krishtlindjeve, ndërsa vaksina e tij mund të jetë në dispozicion nga mesi i vitit 2021.