Kryesore Vjosa Osmani merr zyrtarisht postin e Presidentes

Vjosa Osmani merr zyrtarisht postin e Presidentes

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, Vjosa Osmani ka marrë ditën e sotme zyrtarisht funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentes së Kosovës.

Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës do të ketë në dorë fatin e institucionit më të lartë të vendit, siç është presidenca.

Ceremonia është bërë në prezencën e stafit të presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës. Dorëzimi i kompetencave për ushtrimin e detyrës së presidentes për Vjosa Osmanin nuk është bërë nga Thaçi, pasi ky i fundit ka qenë në zyrat e EULEX.

Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës gjatë një deklarate për mediat ku bëri me dije se Gjykata Speciale i kishte konfirmuar akt-akuzën për krime lufte.