Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zhvilluar këtë të enjte një takim me kreun e OBSH për Europën, Hans Kluge.
Gjatë takimit ministrja deklaroi se për të përballuar situatën e pandemisë janë në dispozicion 1600 shtretër të dedikuar përfshirë këtu edhe spitalet rajonale sipas 3 skenarëve.
“Strategjia e përballimit të vjeshtë-dimrit dhe dokumentet e tjerë strategjikë janë udhërrëfyes të rëndësishëm për të adresuar nevojat dhe përgjigjen e sistemit shëndetësor, edhe në këtë fazë të epidemisë.
Kemi rritur kapacitetet e testimit dhe gjurmimit me katër herë krahasuar me muajin qershor, kemi rritur kapacitetet spitalore, 550 shtretër të dedikuar në katër struktura të mirëpajisura me stafe të kualifikuara janë të disponueshme për rastet e pacientëve ndërkohë që kemi tre skenarë të përfshirjes së spitaleve rajonale që e çojnë këtë kapacitet të dedikuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19, në 1600 shtretër të pajisur dhe me stafe të trajnuara”, u shpreh ministrja.