Bota Situata e COVID-19 në Europë: Mbi një milion raste në Itali, Greqia...

Situata e COVID-19 në Europë: Mbi një milion raste në Itali, Greqia ashpërson masat

Kur numri i viktimave nga COVID-19 ka shkuar në mbi 50,000, qeveria britanike po bën gati planin për Krishtlindje për të kthyer të sigurt në shtëpi të gjithë studentët. Synimi është të ndalet sa më shumë infektimi mes tyre prindërve dhe të afërmve më të moshuar. Studentët në Angli do të testohen dy herë para se të largohen, më pas do të caktohen data specifike të nisjes për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit.

Italia gjithashtu regjistron shifra shqetësuese, çka po detyron qeverinë të ndërhyjë. Teksa situata në spitale është e mbingarkuar disa pacientë janë transferuar në hotelin Sheraton Parco de Medici. Ambientet janë pajisur me bombola oksigjeni dhe të tjera mjete mjekësore në mënyrë që të trajtohen të gjithë pacientët në varësi të stadit të virusit. Ndërkohë mjekët bëjnë thirrje që vendi të hyjë në një bllokim të dytë kombëtar.

Edhe në Hungari janë ndërmarrë kufizime më të ashpra për të parandaluar përhapjen e virusit. Bizneset duhet të mbyllen në orën 19:00 restoranteve u lejohet vetëm shërbimi delivery, shkollat e mesme dhe universitetet duhet të praktikojnë mësimin online.

Ndalohen takime familjare me më shumë se 10 persona, dhe gjatë natës është urdhëruar shtetrrethim.

“Sipas meje këto masa kufizuese duhet të ishin marrë më herët gjatë valës së parë të pandemisë e ndoshta nuk do të ndodheshim në këtë situatë”, shprehet një qytetar.

“Ndjej qe po kemi masa më strikte hap pas hapi dhe e gjithë bota po bën të njëjtën gjë jo vetëm ne, por të gjithë. Sepse ky është një rrezik për jetën. Pra, nuk është thjesht grip por më shumë se kaq”, tregon një qytetar tjetër.

Rastet vijojnë të shtohen edhe në Greqi, ku autoritetet kanë njoftuar kufizime më të rrepta duke zgjatur shtetrrethimin në të gjithë vendin nga ora 21:00 dhe 5 të mëngjesit.

Supermarketet dhe qendrat tregtare do të mbyllen në orën 20:30 duke filluar nga e hëna e ardhshme, ndërkohë që të dielën, më 15 nëntor, ato nuk do të hapen, deklaroi ministri grek i Zhvillimit dhe Investimeve, Nikos Papathanasis për transmetuesin publik grek, ERT.