Bota BE përgatit largimin nga OBSH: Plane për një institucion për pandemitë

BE përgatit largimin nga OBSH: Plane për një institucion për pandemitë

Europa dëshiron të bëhet e pavarur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Komisioni i BE kërkon të krijojë një organ të vetin për medikamentet, vaksinat dhe rastet emergjente.

Barbara Wesel – DW

Kur shpërtheu pandemia e koronës në pranverë të këtij viti dhe COVID u përhap në gjithë Europën, një nga pyetjet e shtruara më shumë ishte: Çfarë po bën Bashkimi Evropian? Përgjigja ishte se BE nuk ka kompetenca për çështjet e shëndetësisë dhe vendet anëtare i morën vetë, në nivel kombëtar vendimet për të luftuar infeksionin e Coronës. Kjo shkaktoi kaos lidhur me rregullat si dhe fillimin e një gare për të vënë në dispozicion pajisjet mbrojtëse, medikamentet dhe shtretërit e spitaleve, garë që u kritikua si josolidare.

Kush do ta marrë vaksinën dhe kur?

Pyetja më e rëndësishme aktualisht është lidhur me shpërndarjen e vaksinës të bërë të njohur, BioNTech-Pfizer. Ajo do t’u jepet vendeve anëtare të BE, sipas numrit të popullsisë, tha Komisarja që merret me këtë çështje, Stella Kyriakides. Vendet vetë do të marrin vendimin cilat do të jenë prioritetet gjatë vaksinimit të popullsisë.

Afati kohor nuk është përcaktuar ende, aktualisht vaksina ndodhet në procesin e marrjes së lejes nga autoritetet e medikamenteve mjekësore, EMA. Kjo do të përshpejtojë procesin sapo të marrë të dhënat e nevojshme. Vlerësimi optimist thotë se kjo do të ndodhë në fund të muajit dhjetor. Në fillim të vitit tjetër, do të shpërndahen dozat e para, bënë të ditur autoritetet e Brukselit.

BE dëshiron t’i ketë vetë kompetencat për emergjencat

Kontrata që Komisioni i BE nënshkroi ditën e martë me BioNTech- Pfizer, për prodhimin e 300 milionë dozave vaksina, është vetëm hapi i parë. Mbas kritikave të marra në pranverë, Komisioni i BE-së, po mundohet të zgjerojë sa më shpejt dhe sa më shumë aktivitetet e veta për luftimin e pandemisë. Kështu, krah sigurimit të transhit të parë të vaksinës janë blerë edhe materiale mjekësore mbrojtëse, për të penguar garën e ashpër për tregje botërore.

Tani Komisioni kërkon që të krijojë zyrën e vet, një agjenci të re për çështjet e shëndetit Health Emergency Response Agency – shkurtimisht HERA –që do të merret me vëzhgimin e zhvillimit të sëmundjeve infektive dhe thirrjen e gjendjes së emergjencës. Komisarja Stella Kyriakides pranon se “bëhet fjalë për pavarësimin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”. Ky është momenti i rrezikut në rritje të pandemisë, dhe Europa duhet të jetë e përgatitur më mirë.

Brukseli dëshiron po ashtu të zgjerojë kompetencat e agjencive ekzistuese të shëndetit: Agjencia qendrore e Bashkimit Europian, EMA me qendër në Amsterdam nuk do të jetë vetëm për dhënien e lejeve për vaksinat dhe medikamentet mjekësore, por do të vëzhgojë edhe mungesën e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore dhe do të drejtojë marrjen e masave për sigurimin e tyre. Pranverën e kaluar BE reagoi ad hoc duke improvizuar me marrjen përsipër të furnizimit dhe shpërndarjes, por kjo punë duhet rregulluar në bazë ligjore.

Edhe Enti për vëzhgimin, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC), me qendër në Stokholm duhet fuqizuar, duke vlerësuar në të ardhmen të gjitha të dhënat e vendeve anëtare dhe duke dhënë udhëzimet përkatëse. Një shembull është vlerësimi i përdorimit të maskave mbrojtëse. Muaj të tërë pati diskutime kontradiktore se sa e rëndësishme është mbajtja e maskës në publik.

Stella Kyriakides përmendi një shembull tjetër atë të vlerësimit të rrezikut, që krijohet nga mutacionet e COVID-it tek nervat. Infeksione të tilla nuk janë vëzhguar vetëm në Danimarkë. Shkencëtarët e Stokholmit do të japin ditët e ardhshme vlerësimet e tyre për këtë problem të ri.

Mirëkuptim nga Parlamenti Europian

Vendet anëtare të BE kanë nguruar shumë deri tani që t’i japin kompetenca të tjera Brukselit. Komisioni është duke u munduar t’i qetësojë, duke thënë se nuk është duke kërkuar ndryshimin e Pakteve të BE. Megjithatë kaosi i fazës së parë të Coronës tregoi se për këtë çështje nevojiten rregullime në nivel europian. Komisioni ka ndeshur mirëkuptim tek Parlamenti Europian kur ka paraqitur planet e veta.

Zëdhënësi për çështjet e shëndetit të Partisë Kristiandemokratike në Parlamentin e BE-së, i ka përshëndetur planet duke thënë: “Gjatë pandemisë së COVID-19 ne u mbështetëm shumë tek Organizata Botërore e Shëndetësisë. Megjithëse unë e vlerësoj shumë punën e saj, duhet pranuar po ashtu se për fat të keq, OBSH ka bërë edhe gabime. Sipas mendimit tim, për shkak të presionit të ushtruar nga Kina, gjendja e emergjencës shëndetësore u shpall me shumë vonesë”, shpjegon mjeku Peter Liese. Prandaj është e rëndësishme që në të ardhmen Europa të veprojë në mënyrë të pavarur. Ai është në favor të forcimit të autoriteteve aktuale të BE që merren me çështjen e shëndetit. Gjatë valës së parë të pandemisë, në muajt mars dhe prill, kur ka qenë duke punuar si mjek, tregon Liese, atij i pati dhimbur shumë kur ka parë mungesën e maskave dhe rrobave mbrojtëse. “Për shumë mjekë në Itali kjo do të thotë se atyre iu desh të vdisnin prej COVID-19″. Kjo gjë nuk duhet të përsëritet më.

Edhe socialdemokratët e Parlamentit Europian tregojnë për planet e tyre: “BE duhet pengojë veprimtaritë e pakoordinuara të vendeve, si përshembull mbyllja e kufijve dhe ndalimi i eksportit të medikamenteve të rëndësishme mjekësore dhe teknikës mjekësore. Bashkimi Europian ka nevojë për më shumë kompetenca në fushën e shëndetit, për të qenë në gjendje që të reagojë në mënyrë harmonike dhe të koordinuar”, thotë zëdhënësi për çështjet e shëndetit të socialdemokratëve, Timo Wölken. Rrumpalla i çorientoi qytetarët dhe “ia mori rëndësinë ndjekjes të domosdoshme të gjetjeve shkencore, si përdorimi i maskës, rregullat e distancës sociale, strategjitë për testimet apo rregullat e karantinës”. “Qytetarët europianë presin prej nesh që të veprojmë”, thotë Komisarja Kyriakides, por vendimet i marrin vendet anëtare, dhe do ishte mirë që ato të mësojnë prej gabimeve të muajve të fundit dhe të veprojnë në të ardhmen në mënyrë “më europiane”.