Leonardo DiCaprio iu bashkua fushatës në mbrojtje të lumit Vjosa nga ndërtimi i HEC-eve rreth një vit më parë. E duket se këtë çështje jo vetëm nuk e ka harruar, por po e ndjek me vëmendje.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka përcjellë deklaratën e bërë nga Kryeministri Edi Rama për refuzimin e projektit të Kalivaçit dhe vendimin që zona të jetë park kombëtar.
“Lajme shumë premtuese vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve. Më 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i Kalivaçit u refuzua dhe se zona do të bëhet park kombëtar. Parku Kombëtar i Lumit Vjosa do të ishte vendi më i madh në Europë për ruajtjen e lumenjve, duke mbuluar qindra kilometra lumenj dhe përrenj, e duke mbrojtur njëkohësisht qindra mijëra specie në rrezik. Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Europës dhe parku mund të kthehet në model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër”, shkruan ndër të tjera aktori amerikan.
Lumi Vjosë konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të Europës që nuk është shfrytëzuar për nxjerrjen e burimeve energjetike dhe ndërtimi i hidrocentraleve në të do të prishte florën dhe faunën e zonës.
Në shtator, kryeministri paralajmëroi refuzimin e lejeve mjedisore të HEC-eve në lumin Vjosë duke thënë se qeveria shpalli Park Kombëtar pjesën e Vjosës së Sipërme.