Çështja e lidhur me të ardhmen e Lionel Messit ka qenë pa dyshim tema më e nxehtë e sesionit të fundit të merkatos që u mbyll pak muaj më parë. Argjentinasi, pavarësisht se kishte shprehur zyrtarisht dëshirën për t’u larguar nga Barcelona, në fund qëndroi me fanellën “blaugrana”, dukë gëzuar të gjithë tifozët, edhe pse duket se nuk i ka kënaqur të gjithë.
Në fakt një burim i brendshëm i klubit katalan, duke folur për revistën “FourFourTwo”, deshi të shpjegonte një nga pasojat e rënda të qëndrimit të lojtarit më të mirë në botë te Barcelona.
Pavarësisht vlerësimit të madh dhe respektit për Messin si lojtar, ky burim, që nuk identifikohet me emër, ka shprehur një lloj keqardhjeje për vendimin final të numrit 10 për të qëndruar te Barcelona.
“Le të jetë e qartë, e dashuroj Messin, e dashuroj zotësinë e tij dhe atë që ka bërë për klubin, por dashuroj më shumë punën time dhe familjen time”, – ka deklaruar personi i intervistuar që shton. – “Kur mësuam se Messi do të qëndronte te Barcelona, u tronditëm. E dinim që, përveç krizës, për shkak të koronavirusit, do të kishte të tjera reduktime pagash. Thjesht ne e dinim se do të na ulnin pagat vetëm për t’i paguar rrogën Messit”.