Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, u shpreh këtë të premte se vlerëson faktin e Shqipërisë që përpiqet që të përafrojë legjislacionin e saj me atë europian.
Ai vlerësoi punën në reformën në drejtësi ndërsa tha se Italia do të mbështesë kryesimin e Shqipërinë në OSBE për sa i përket luftës kundër korrupsionit.
Di Maio tha se Italia mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“Ne vlerësojmë faktin që përpiqet ta përafrojë legjislacionin e saj me atë europian. Italia do të vazhdojë të mbështesë kryesimin e radhës së OSBE-së nga Tirana, për arritjen e vendimeve të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Uroj që vendet tona të bashkëpunojnë edhe në kuadër të forumeve të ndryshme ku jemi pjesë. Në këtë kuadër përcaktimi i mekanizmit të koordinimit në plan ndërkombëtar dhe kombëtar mund të futen në një luftë sa më efikase ndaj korrupsionit. Ne përpiqemi që të mbështesim Shqipërinë në këtë sfidë, lidhur ngushtë edhe me mbështetjen tonë të fuqishme në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Jemi të bindur se me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar Shqipëria mund ta fitojë këtë sfidë për të ardhmen. Pas kësaj vizite time në Tiranë unë mund të shpreh se Shqipëria mund të mbështetet tek Italia dhe të gjithë bashkë mund të shohim me vëmendje me besim drejt BE-së”, tha Di Maio, gjatë një tryeze bashkë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për luftën kundër korrupsionit.
Ministrja Gjonaj gjatë fjalës së saj, falënderoi Italinë për mbështetjen, ndërsa tha se 4 vitet e fundit, në vend po zbatohet reforma më e thellë dhe radikale në sistemin e drejtësisë, “me qëllim garantimin e një sistemi që rikthen besimin e qytetarëve tek një sistem gjyqësor i bazuar në integritet, profesionalizëm, eficencë, dhe mbi të gjitha, pavarësi”.
Gjonaj tha se fokusi këtë vit është që plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë.
“Gjatë këtij viti në fokus të veçantë të institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit në kohët e fundit ka qenë dhe mbetet plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në fazën finale të vlerësimit të kandidatëve për tri vendet vakante. Ky proces paraqitet veçanërisht kompleks, i bazuar në një kuadër kushtetues dhe ligjor të riformatuar, në funksion të një sistemi strikt, por të drejtë e transparent të përzgjedhjes së kandidatëve që dëshmojnë integritet moral, si dhe përgatitje të lartë profesionale. Paralelisht, po vijon intensivisht puna për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë”, tha Gjonaj.