Bota Biden përjashton izolimin: Nuk do ta mbyll ekonominë për shkak të COVID-19

Biden përjashton izolimin: Nuk do ta mbyll ekonominë për shkak të COVID-19

Kandidati demokrat amerikan Joe Biden, i zgjedhur si president i SHBA, deklaroi se nuk do ta mbyllë ekonominë në mbarë vendin për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Unë nuk do ta mbyll ekonominë, pikë. Do t’i jap fund virusit”, tha Biden pasi një takimi me guvernatorët e 10 shteteve.

Joe Biden deklaroi se çdo rajon është i ndryshëm dhe kjo situatë nuk do të kërkojë mbylljen e ekonomisë në të gjithë vendin.

Ndërkohë, Biden, i cili ka filluar të formojë kabinetin e tij, ka deklaruar se do të shpallë emrin që do ta sjellë në Departamentin e Thesarit së shpejti, para ose pas Ditës së Falënderimeve në SHBA, e cila këtë vit do të festohet më 26 nëntor.

Sulmon Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden sulmoi edhe presidentin Donald Trump për mos pranimin e humbjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe për bllokimin e ekipit të tij të tranzicionit nga qasja në informacionet e qeverisë në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

“Është e vështirë të kuptohet se si mendon ky njeri”, tha Biden për Presidentin Donald Trump. “Unë kam besim se ai e di që nuk ka fituar; ai nuk do të jetë në gjendje të fitojë dhe ne do të bëjmë betimin më 20 janar”, tha Biden. “Nuk ngre dyshime për motivin e tij. Është thjesht fyese ajo që ai po bën”.

Biden foli me gazetarët pas një takimi virtual me 10 guvernatorë shtetesh nga të dyja partitë, domokratë e republikanë.

Ish-nënpresidenti amerikan vuri në dukje se spitalet në të gjithë vendin po shohin një rritje të rasteve me Covid-19 përpara Ditës së Falenderimeve dhe Krishtlindjes, duke vendosur “presion të madh” mbi spitalet dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe “duke i dhënë një goditje të re masive ekonomive tuaja.”

Biden i tha udhëheqjes ekzekutive të Shoqatës Kombëtare të Guvernatorëve: “Ju keni nevojë për ndihmë dhe unë dua që ju të dini se unë do të jem partneri juaj në Shtëpinë e Bardhë.”

Qindra mijëra infeksione të reja po regjistrohen në Shtetet e Bashkuara çdo ditë dhe numri i të vdekurve ka arritur në mbi 250 mijë, shifra me lartë se në çdo vend tjetër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Tranzicioni

Dhjetëra ekspertë të shëndetit publik të enjten i kërkuan administratës Trump që të lejonte procesin e tranzicionit presidencial të fillojë zyrtarisht në përballjen me pandeminë, duke u dhënë zyrtarëve të ardhshëm të Biden-it qasje në informacionet që qeveria ka përpiluar në lidhje me furnizimet mjekësore dhe vaksinat që janë duke u zhvilluar.

Letra e zyrtarëve shëndetësorë iu dërgua administratores së Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy e cila ende nuk ka nënshkruar dokumentet që shpallin Biden fitues të zgjedhjeve, një veprim që do të lejonte fillimin zyrtar të tranzicionit.

Trump ende nuk ka pranuar fitoren e zotit Biden. Si rezultat, Trump nuk po lejon Biden, i cili është gati të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, që të shoh raportet qeveritare të inteligjencës mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare që vendi mund të përballet ose t’u japë ndihmësve të Biden qasje në ndërtesat e agjencive qeveritare.