Punonjësit e shembjeve zbuluan një rrjet tunelesh nëntokësore të fshehta, ndërsa po shembnin shtëpinë e stilit të “Aladinit” të ish-trafikantit të njohur meksikan të drogës, Amado Carrillo Fuente, i cili ndërroi jetë 23 vjet më parë gjatë një operacioni plastik që bëri për t’i shpëtuar arrestimit.
Rrugicat dhe dhomat e fshehta u zbuluan ndërsa buldozerët po pastronin mbetjet e “pallatit” të shembur në qytetin e Hermosillos në Sonora.
Prona ishte lënë pas dore prej vitesh që pas vdekjes së Carrillo dhe kohët e fundit autoritetet kishin urdhëruar shembjen e saj.
Ai e bleu pronën në qytetin e Hermosillos nga familja Ciscomani dhe më pas e shembi atë për të ndërtuar një pallat të stilit të përrallave të “1001 netëve”.
Amado Carillo Fuentes ishte një prej bosëve më të mëdhenj të drogës në vitet 1980-1990 në Meksikë. Ai lindi në Sinaloa dhe ishte nipi i një prej themeluesve të kartelit të Guadalajara-s.
Ai mësoi të pilotonte avionë dhe këto njohuri e bënë një prej trafikuesve më të mirë të biznesit të jashtëligjshëm të drogës. Pas vdekjes së bosit të tij, Rafael Aguilar Guajardo, ai mori drejtimin e kartelit Juarez.
Carrillo në kulmin e karrierës së tij si lord droge njihej ndryshe me nofkën “Lordi i Qiejve”, për shkak të flotës së madhe ajrore që kishte për transportimin e kokainës që blinte nga Pablo Escobar dhe karteli Cali.
Fuentes qëndroi larg syrit të publikut dhe u fotografua rrallë. Në 1997-n, ai u përpoq të ndryshonte pamjen me anë të kirurgjive plastike, por humbi jetën.