Për herë të parë pas shumë vitesh, Presidenti turk Rexhep Erdogan deklaron se e ardhmja e Turqisë është drejt familjes europiane. Në kongresin e partisë së tij AKP, kreu i shtetit turk nuk sulmoi më Bashkimin Europian por ftoi për bashkëpunim.
“Nuk kemi për qëllim të grindemi me askënd. Nuk duam t’i marrim askujt të drejtën. E kundërta. Me miqtë dhe ata që kemi në krah duam të bashkëpunojmë më shumë. Nga Bashkimi Europian presim që të mbajë premtimet ndaj nesh. Mos të bëjë ndarje dhe mos ta përdorin si vegël për të na sulmuar. Nuk e shohim veten diku tjetër, por në Bashkimin Europian dhe po punojmë që të arrijmë në të ardhmen”.
“Turqia i përket Europës!”, theksoi Erdogan.
“Ne nuk e shohim veten askund tjetër përveç Europës. Ne imagjinojmë ta ndërtojmë të ardhmen tonë me Europën”, shtoi më tej ai.
Me këtë mesazh, udhëheqësi turk dëshiron të tregojë gatishmërinë e tij për të rinovuar lidhje të forta me partnerët europianë, duke shtuar se Turqia dëshiron një bashkëpunim më të fortë me miqtë dhe aleatët e saj.
Megjithatë foli për lobim nga disa shtete për të nxitur armiqësi ndaj Turqisë.
“Askush nuk ka të drejtë që ta zhubrosë fotografinë e Turqisë me argumente të gabuara dhe të gënjeshtërta. Nuk do të lejojmë as kërcënimet. Nuk pranojmë që të kthehemi lodër e disa vendeve apo e terroristëve. Nuk mund ta pranojmë lobimin e disa shteteve dhe organizmave që e kanë kthyer armiqësinë ndaj Turqisë në çështje jetësore”.
Gjatë fjalës së tij Erdogan deklaroi se do të ketë forcim të marrëdhënieve edhe me administratën e re të SHBA, me Rusinë apo Iranin si dhe me faktorët kyç në rajon.