Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në Twitter pas humbjes së jetës së Bashkim Koplikut. Ish-zv/kryeministri ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve të Covid-19.
Basha i shpreh ngushëllime familjes ndërsa thotë se Kopliku ka dhënë një kontribut të pakursyer që në ditët e para të krijimit të PD-së.
“Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku. Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.
Kopliku humbi jetën në moshën 77-vjeçare. Ai ishte shtuar në spital, pasi përgjigja e tamponit kishte dalë pozitive dhe gjendja e tij kishte nisur të përkeqësohet derisa humbi jetën.
Kopliku, u lind më 15 Korrik 1943 në Shkodër dhe ka qenë me profesion inxhinier. Po ashtu Kopliku ka qenë i angazhuar në politikë pas viteve 90’ dhe ka qenë një figurë historike e PD, pasi ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të udhëhequr nga PD pas vitit 1992.
Ai është zgjedhur dy herë deputet në parlament si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera, ndër të cilat edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit. Është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, si dhe ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës në 1991-92.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës.