Mediat e Ekuadorit zbulojnë detaje të vrasjes së Adriatik Tresës, 45-vjeçari shqiptar që u ekzekutua të premten në shtëpinë e tij në Bali. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 kur disa burra që u prezantuan si policë hynë në kompleksin luksoz ku ai banonte. Me pretendimin se posedonin një urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë, ata hynë në shtëpinë e Tresës, i cili ishte në shoqërinë e kunatës, një grua ekuadoriane që u bë dëshmitare e ekzekutimit të shqiptarit.
Sipas prokurorëve që kanë rindërtuar skemën e ekzekutimit, gruaja dhe i ndjeri ishin ulur në një divan dhe kur ajo u ngrit për të kërkuar që t’i tregonin urdhrin e gjykatës, një nga burrat qëlloi mbi Tresën gjashtë herë me pushkë.
Plumbat madje kanë shpuar murin e pasëm të divanit, ku qëndronte trupi. Skena ishte e përgjakshme.
Pas të shtënave, fqinjët kanë njoftuar policinë, ndërkohë që autorët arritën të largohen.
Sipas policisë ekuadoriane, të paktën shtatë persona morën pjesë në vrasje: dy shoferë, dy të tjerë që kanë qëndruar jashtë dhe tre që kanë hyrë në shtëpi dhe kanë kryer ekzekutimin.
Përfshirja në trafikun e drogës dhe vrasja e një tjetër shqiptari
Tresa ishte pjesë e një hetimi (ai ishte hetuar edhe më parë si pjesë e krimit të organizuar) të Njësisë Kundër Narkotikëve, pasi dyshohej si i përfshirë në trafikun e drogës.
Ai ishte burgosur për posedim dhe mbajtje armësh për gati trembëdhjetë muaj dhe para pak kohësh ishte liruar. Tresa u arrestua në vitin 2017 gjatë një kontrolli pas vrasjes së një shtetasi tjetër shqiptar. Ai u arrestua për një armë të gjetur në shtëpinë e tij.
Tresa ka qenë subjekti i një tjetër hetimi në vitin 2013. Ai është hetuar për krimin e pastrimit të parave.
Autoritetet e zbatimit të ligjit në Ekuador u kanë thënë mediave vendase se vitet e fundit kanë pasur disa episode të dhunshme që përfshijnë shqiptarë dhe se ato kanë ndodhur në mesin e këtij komuniteti. Javë më parë, raportohet se ka pasur një tentativë për ta rrëmbyer Tresën, por pa sukses.
Tresa jetonte në një nga zonat më të sigurta të kryeqytetit ekuadorian dhe vrasja e tij i ka tronditur banorët e zonës, të zhvendosur atje pikërisht për shkak të sigurisë së lartë.
Lidhje të tjera
Në një qendër tregtare në Samborondón, më 20 korrik të këtij viti, u vra Sasa Spasic, 56 vjeç, me origjinë serbe. Policia gjeti para dhe lidhje me trafikun e drogës në shtëpinë e tij, prandaj supozohet se ai ishte pjesë e një bande droge. Por nuk është rasti i vetëm, në maj 2017 u vra një tjetër shqiptar.
Muaj më vonë, në nëntor, ka pasur një tentativë tjetër vrasjeje, objektivi i të cilës ishte një shqiptar.
Në maj 2013, Adriatik Tresa u arrestua në një shtëpi në Samborondón së bashku me të huaj të tjerë si pjesë e hetimit për vdekjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.
Ministri i atëhershëm i Brendshëm, José Serrano, tha se një bandë që merrej me trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.