Rritja e numrit të familjeve me të ardhura të dyfishta dhe zhvillimi i sektorit të ndërtimit nxit bizneset e shërbimeve të pastrimit. Konkurrenca e fortë midis lojtarëve të vegjël, për të zgjeruar praninë në treg, me çmime të lira, është një sfidë për aktorët kryesorë të tregut. Rritja e numrit të grave në tregun e punës dhe investimi në pasuri të paluajtshme do të ofrojë mundësi tërheqëse për biznesin e shërbimeve të pastrimit edhe në vendin tonë…
Nga Deada Hyka – Monitor
Ndonëse kishte vendosur disa gurë themeli në jetën e saj jashtë, Valbona Begolli vendos të rikthehet në Shqipëri, pas 13 vitesh në Selanik të Greqisë, për të hapur një biznes pastrimi. “Para shtatë viteve, kur ua thashë të afërmve idenë për të hapur një biznes pastrimi në Tiranë, asnjë nuk më mbështeti, përkundrazi, më kundërshtuan të gjithë”, – nis të tregojë Valbona, sot mbrapa një tryeze “bosi”. Megjithatë fillimet kishin qenë ndryshe. “Qëndrova 6 muaj në Tiranë për të studiuar tregun, ku vura re mungesën e shërbimeve profesionale të pastrimit. Gjithçka u arrit me punë dhe përkushtim”, – thotë ajo. Por edhe ky biznes, në dukje i lehtë, ka vështirësitë e veta.
Sikurse në çdo fushë tjetër që lidhet me teknologjinë e pajisjet, të ecësh me hapin e kohës do të thotë që të ndjekësh çdo ndryshim në tregun e pajisjeve për këtë sektor dhe kjo kërkon investim të vazhdueshëm. Fiqiri Allmuça nga “Pastrime Silvio”, shprehet për “Monitor” se në këto 10 vite përvojë në tregun shqiptar, ndjek panaire jashtë që lidhen me industrinë e pastrimit dhe përpiqet që të investojë në teknologji të reja që të ofrojë më tepër cilësi. “Kjo vjen me kosto shtesë”, – thotë z. Allmuça. Përvoja e ngjashme në Itali i lindi idenë për të hapur një biznes të tillë bashkë me bashkëshorten, tashmë ortake në biznes.
Sa u përket problemeve në tregun shqiptar, Valbona Begolli nga AlbPastrim tregon për “Monitor” se në Shqipëri është e vështirë ofrimi i shërbimeve të jashtme (outsourcing). Ajo pohon se kjo industri është zhvilluar dhe në vitet e përvojës në këtë sektor, sheh se në vendin tonë ka filluar ndërgjegjësimi për këtë shërbime.
“Shumë klientë potencialë nuk e kanë të lehtë që të marrin një kompani e cila të ofrojë këto shërbime, pasi mendojnë se nuk sjell avantazhe për ta”, – tregon znj. Begolli.
E pyetur për llojin e shërbimeve që ofron kompania, znj. Begolli thotë se përfshin një gamë të gjerë. “Aktivitetet tona mbulojnë një shërbime që lidhen me menaxhimin e ndërtesave komerciale si spitalet, kompanitë private, zyra, universitetet, rezidenca, resorte, hotele etj. Këto aktivitete kanë të bëjnë me trajnimin e stafit, pastrimin e ndërtesave, mirëmbajtjen e tyre dhe shitjen e produkteve të pastrimit”, – thotë drejtuesja e AlbPastrim.
Biznese me fitim
Nga një kërkim i thjeshtë që bëmë në Google rezultojnë të shumta bizneset në fushën e pastrimit, aktivitetet e të cilëve kanë nisur në periudha të ndryshme. Ashtu sikurse pohojnë edhe aktorët kryesorë të tregut, konkurrenca është shtuar, torta ndahet në shumë pjesë tanimë, por shërbimet profesionale diferencojnë secilin. Në një vëzhgim të bilanceve të katër kompanive me xhiro më të madhe, vëmë re tendencën e rritjes së aktivitetit të tyre në dy vitet e fundit. Rritja konfirmohet edhe nga vetë aktorët e tregut.
Rritjen më të madhe të xhiros e ka kompania AlbPastrim sh.p.k., e cila nga viti 2015 në vitin 2016 ka katërfishuar aktivitetin e saj. Pavarësisht se është kompania e tretë me xhiron më të madhe në këtë sektor, AlbPastrim në 2016 ka qarkulluar 44 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Kompania e dytë me xhiron më të madhe është The Arla sh.p.k., degë e kompanive me të njëjtin emër në të gjithë vendet e rajonit.
Xhiro e saj në 2016 ka qenë 113 milionë lekë, ndërsa nuk kishte ndryshime të ndjeshme me xhiron e vitit 2015. Silvio sh.p.k., kompania me xhiron më të madhe për 2016, me rreth 123 milionë lekë, ka pasur një rritje prej thuajse 40% krahasuar me një vit më parë. Mondan Cleaning, një tjetër kompani pastrimi së cilës po i buzëqesh fati, pati një rritje prej 88% të aktivitetit të saj në 2016, sipas të dhënave të konsultuara në bilancin e tyre.
Bizneset, klientët potencialë
Aktorët kryesorë të tregut pohojnë se bizneset janë klientët potencialë ku fokusohet shërbimi i tyre, qoftë i pastrimit si outsource, qoftë edhe në shitjen e produkteve të pastrimit. Ata kanë në fokusin e tyre kryesisht biznese si universitete, shkolla, kopshte, banka, zyra, fabrika ushqimore, restorante, hotele, resorte etj.
“Kjo nuk do të thotë që familjarët nuk janë pjesë e klientëve, por shërbimet e kërkuara nga to janë kryesisht për pastrime gjenerale, tapete etj.”- tregon administratorja e AlbPastrim sh.p.k.
Ndërsa menaxherja e Silvio sh.p.k., Emira Allmuça, tregon se operojnë kryesisht me tenderë publikë, në të gjithë Shqipërinë për shërbime të tilla, më pas bankat dhe zyrat e mëdha të institucioneve të ndryshme private janë potenciale në këtë fushë. Sipas saj, “lojtarët e vegjël” të sektorit merren kryesisht me familjarët, sepse ofrojnë çmime më të lira, duke qenë se kanë më pak kosto. Shpeshherë familjarët, kur pyesin për çmimin e shërbimeve si pastrimet gjenerale apo higjienizime, dezinfektime etj., u duken çmimet tona të shtrenjta, duke qenë se ka aktorë të tjerë në treg me çmime më të lira. Kjo ndodh sepse ato nuk kanë shumë punonjës sa ne apo të tjera kompani të mëdha në treg”.
Biznesi
Të nisësh një biznes pastrimi është një nga idetë më të njohura midis njerëzve që kërkojnë mënyra të ndryshme për të fituar para, të gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme dhe të jenë “shef” i vetes së tyre. Megjithëse nuk është një “biznes magjepsës”, vitet e fundit në Shqipëri vihet re një kërkesë e madhe për shërbimet e pastrimit, si për banim ashtu edhe për ambientet komerciale.
Pothuajse të gjithë kanë nevojë për biznese apo shtëpi të pastra dhe shumica e njerëzve janë të gatshëm të paguajnë për të. Dy arsye të tjera që shumë njerëz mendojnë të hapin një biznes në fushën e pastrimit, numri i të cilëve është shtuar vitet e fundit, janë shpenzimet relativisht të ulëta të nisjes dhe fakti se në përgjithësi nuk ka nevojë për diploma, certifikim profesional ose trajnim të specializuar.
Burrat parapëlqehen më shumë se gratë
Është e habitshme, por ndodh kështu! Emira Allmuça tregon për “Monitor” që prej shumë vitesh, edhe familjarët, edhe bizneset kërkojnë kryesisht shërbime nga burrat. Kjo ndodh për disa arsye.
“Meshkujt janë më të kujdesshëm, më të aftë dhe më diskretë. Na vjen keq ta pohojnë si gra që jemi, por kështu ndodh. E nuk e kam fjalën vetëm për shërbimet e pastrimeve të vështira si ato të fasadave që do t’u duhet të ngjiten me vinç. Jo, jo, edhe në shtëpi, shqiptarët parapëlqejnë një shërbim pastrimi nga burrat, janë më të kënaqur me cilësinë në këtë rast”, – përfundon ajo.
Akademi pastrimi
Sado e habitshme që të duket, ka nisur në vendin tonë një akademi e mirëfilltë me kurse, trajnime dhe konsulenca për të “shkolluar” një staf në fushën e shërbimeve të pastrimit. Valbona Begolli tregon se kjo nismë erdhi si domosdoshmëri duke marr shkas nga klientët si hotelet, resortet apo komplekset e pallateve, të cilët nuk duan gjithnjë që këtë shërbim ta marrin outsource, por të kenë një staf të tyre.
“Planet e trajnimit të AlbPastrim janë shumë efektive dhe me rezultate të mira, për shkak se ato janë të zhvilluara nga ekspertë me përvojë për pastrimin dhe kjo është në favor të bizneseve, sidomos për hotelet. Ndodh shpesh që klientët kanë realizuar një investim të madh për hapjen e biznesit, me materiale nga më cilësoret, por duhet të jetë shumë e rëndësishme mënyra se si stafi i pastrimit e realizon punën, në të kundërt do të duhet të riinvestosh për materiale. Akademia ofron trajnime dhe kurse profesionale në formën e seminareve të hapura për mënyrën se si në pak kohë dhe me pak produkte të mund të realizojmë një proces pastrimi të përkryer. Të gjitha kurset drejtohen dhe mbikëqyren nga instruktorëve profesionalë”, – tregon ajo.
Janë pikërisht të rinjtë ata që interesohen për këto shërbime dhe ku këtë vit janë të përqendruar trajnimet. “Përfshirja e këtyre profesionistëve në treg sjell për biznesin një shërbim cilësor”, – përfundon znj. Begolli.
Pastrim ekologjik
Konsumatorët në ekonomitë e zhvilluara janë bërë më të vetëdijshëm se si aktivitetet e tyre të përditshme ndikojnë në botën tonë. Ata po marrin gjithnjë e më tepër në konsideratë se si nxjerrja, prodhimi dhe asgjësimi i produkteve të pastrimit ka ndikim të madh në konsumin e tyre të energjisë dhe ujit dhe po kërkojnë mënyra për të zvogëluar ndikimin e tyre.
Një shembull i kësaj është tregu i produkteve të pastrimit ekologjik. Legjislacioni, veçanërisht në Europë, siguron që të gjitha produktet të plotësojnë standardet bazë të mjedisit. Për këtë arsye, konkurrenca mes kompanive është që të zhvillojnë sa më shumë produkte pastrimi nga burimet natyrore të ripërtëritshme.
Kjo tendencë ka nisur edhe në Shqipëri. Valbona Begolli na tregon që përdorimi i produkteve ekologjike është një ndër synimet e kompanisë, si përpjekje për të mos dëmtuar mjedisin dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, ulin kosto.
“Fokusi ynë në të ardhmen e afërt qëndron në zhvillimin dhe inovacionin, në metodat e reja të pastrimit, duke përdorur materiale dhe produkte ekologjike për të mbrojtur atë çka natyra na ka dhuruar. Këtë ua detyrojmë brezave dhe atyre që nesër do të ecin në gjurmët tona. Ndaj duhet të bëjmë më të mirën sot”,- thotë në fund ajo.
Përfitimet për bizneset nga shërbimet profesionale të pastrimit
– Reduktimi dhe kontrolli i kostove operative
– Përmirësimi i fokusit të kompanisë
– Menaxhimi i burimeve njerëzore për qëllime të tjera të kompanisë
– Përmirësimi ose rritja e efikasitetit për funksionet që kërkojnë kohë
– Maksimizimi i përdorimit të burimeve të jashtme
– Ndarja e rreziqeve me një kompani partnere
Industria e pastrimit në botë
Një raport i ri i publikuar nga Allied Market Research, i titulluar “Analiza e mundësive të shërbimeve të pastrimit dhe parashikimet e industrisë, 2014-2022”, parashikon që tregu global i shërbimeve të pastrimit të arrijë 74,299 milionë dollarë deri në vitin 2022. Tendencat e tregut të shërbimeve të pastrimit, sipas raportit, pritet të jenë në rritje progresive vitet e ardhshme. Zona e Azi-Paqësorit pritet të ketë rritjen e këtyre shërbimeve me ritmin më të shpejtë gjatë 2014-2022 dhe përbën rreth 30% të tregut të përgjithshëm të shërbimeve të pastrimit. Rritja kryesisht vjen nga nxitja e kërkesës nga Kina, Japonia dhe India.
Ndërsa shitjet globale të produkteve të pastrimit të shtëpive arritën në 147 miliardë dollarë në vitin 2017. Kjo gjithashtu mund të jetë arsyeja që ky treg ka tendencë të jetë më rezistent ndaj rënies së ekonomisë botërore sesa sektorët e tjerë, siç janë ndërtimi dhe automjetet. Kjo sigurisht që paraqet mundësi të vazhdueshme për bizneset në tregun e produkteve të pastrimit.