Turqia zgjeroi fazën e tretë të testimit të vaksinës eksperimentale kineze CoronaVac, duke e injektuar atë tek vullnetarët.
Shumë prej tyre e morën dozën në spitalin kryesor të kryeqytetit turk, Ankara.
Rezultatet paraprake treguan se, vaksina nxiti një reagim të shpejtë të imunitetit, por niveli i antitrupave të prodhuar ishte më i ulët se ai tek njerëzit që e kanë kaluar sëmundjen.
“Nuk bëra shumë pyetje. Bëra kërkimet e mia përpara, duke vëzhguar të dhënat në internet dhe pas aprovimit të Ministrisë së Shëndetësisë vendosa të bëhem vullnetar. Për fat të mirë, stafi mjekësor këtu u tregua i sinqertë. Kur erdha ata më shpjeguan të gjitha efektet e mundshme, por unë vendosa ta bëj vaksinën dhe nuk ndodhi asgjë”, deklaroi Emre Alici, vullnetar.
Edhe pse fazat e para nuk ishin projektuar të vlerësonin efikasitetin e CoronaVac, ekspertët thanë se ajo mund të ofrojë mbrojtje të mjaftueshme, nisur nga krahasimi me vaksina të tjera dhe testet paraklinike të kryera tek kafshët.
“Ne nuk konstatuam ndonjë efekt të fortë anësor gjatë vaksinimeve paraprake dhe kontrolleve që pasuan. Testi u krye mbi 10 mijë persona në Brazil dhe as ata nuk u informuan për efekte anësore. Rrjedhimisht, kjo na inkurajon më shumë në aspektin e besueshmërisë së kësaj vaksine. Ndaj qytetarët duhet të na besojnë dhe të vijnë të vaksinohen”, theksoi doktoresha Rahmet Guner.
Të dhënat e fundit nga Ankaraja mbi vaksinën e prodhuar nga gjiganti kinez “Sinovac” vijnë pas lajmit të njoftuar më herët gjatë muajit nga kompanitë amerikane “Pfizer” dhe “Moderna”, por edhe nga Rusia e Britania, që folën për rezultate inkurajuese nga testet e tyre eksperimentale.