Nëse Profesoreshë Sarah Gilbert do të kishte ndjekur instinktet e saj, mbase vaksina e koronavirusit e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, mund të mos ishte prodhuar kurrë.
BBC shkruan se vite më parë, duke studiuar për doktoraturën, Gilbert po mendonte seriozisht të linte shkencën.
Si studente e re në shkencat biologjike në Universitetin e Anglisë Lindore, ajo mori energji nga larmia e mendimit dhe përvojës në departament. Por kur vazhdoi për doktoraturë në Universitetin e Hull, kuptoi se të punonte vetëm nuk i pëlqente.
“Ka disa shkencëtarë që me kënaqësi do të punojnë vetë për një temë për një kohë shumë të gjatë… Kjo nuk është mënyra se si më pëlqen të punoj. Më pëlqen të përpiqem të marr parasysh idetë nga shumë fusha të ndryshme.”- i tha ajo BBC-së në fillim të këtij viti.
“Kam menduar ta lë shkencën në atë pikë dhe të bëj diçka ndryshe”. Por në fund ajo vendosi t’i jepte edhe një shans karrierës në shkencë. “Më duheshin të ardhurat”– thotë ajo.
Ky ishte një vendim që sot na çoi në njoftimin se vaksina e koronavirusit në Universitetin e Oksfordit ka rezultuar shumë efektive për të mbrojtur njerëzit nga Covid-19. Të dhënat e përkohshme sugjerojnë se vaksina ofron 70% të mbrojtjes, por studiuesit thonë se shifra mund të shkojë deri në 90% duke ndryshuar dozën.
Hulumtimi i malaries
Sarah Gilbert ka lidhur në Kettering, Northamptonshire në prill të vitit 1962. Babai i saj punonte në biznesin e këpucëve ndërsa nëna e saj ishte një mësuese anglishteje dhe anëtare e shoqërisë lokale operative amatore.
Një shoqe e shkollës e kujton atë si një vajzë me një qëndrim të hekurt – një tipar i cili ndoshta shpjegon vendimin e saj vite më vonë, që të vijonte me doktoraturën pavarësisht dyshimeve të saj.
Pas përfundimit të doktoratës, ajo mori një punë në një qendër kërkimore të birrës. Ajo kurrë nuk kishte menduar të ishte specialiste e vaksinave. Megjithatë, nga mesi i viteve 1990, ajo nisi të bënte një punë akademike në Universitetin e Oksfordit, duke parë gjenetikën e malaries. Dhe kjo çoi në punën për vaksinat e malaries.
Jeta e saj u bë pak më e komplikuar kur lindi trinjakë. Djali i saj Freddie e përshkruan nënën e tij si gjithmonë mbështetëse dhe me interesat më të mira të fëmijëve në zemër. Të tre fëmijët zgjodhën të ndiqnin rrugën e tyre, thotë ai – edhe pse të gjithë përfunduan duke zgjedhur të studionin biokimi në universitet.
Ndërkohë Dr. Gilbert u ngrit në detyrë, duke u bërë profesore në Institutin prestigjioz të universitetit Jenner. Ajo krijoi grupin e saj kërkimor në një përpjekje për të krijuar një vaksinë universale të gripit, një vaksinë e cila do të ishte efektive kundër të gjitha llojeve të ndryshme të gripit.
Në vitin 2014, ajo udhëhoqi testimin e parë të një vaksine kundër Ebola-s. Dhe kur shpërtheu virusi Mers, ajo udhëtoi në Arabinë Saudite për të provuar të krijojë një vaksinë për këtë formë të koronavirusit.
Testimi i dytë i kësaj vaksine sapo kishte filluar kur, në fillim të vitit 2020, Covid-19 u shfaq në Kinë. Profesoreshë Gilbert shpejt e kuptoi se ajo mund të përdorte të njëjtën qasje edhe për këtë koronavirus.
“Ne ishim të shpejtë”, thotë kolegia e saj në Oksford, Prof Teresa Lambe. Ndërsa shkencëtarët kinezë botuan strukturën gjenetike të virusit të ri “gjatë fundjavës, vaksina ishte e dizajnuar. Ne u morëm shumë shpejt me të.”
U deshën disa javë për të krijuar një vaksinë që funksionoi kundër Covidit në laborator. “Ne po e shohim atë si një garë kundër virusit, jo një garë kundër prodhuesve të tjerë të vaksinave.”- tha Gilbert në fillim të këtij viti. “Ne jemi një universitet dhe nuk jemi këtu për të fituar para.”
Shkolla, miqtë dhe kolegët e universitetit e përshkruajnë atë si një person të ndërgjegjshëm, të qetë dhe të vendosur.
“Ndonjëherë mendoj se ajo mund të jetë mjaft e ndrojtur dhe e rezervuar për njerëzit.”– tha një nga studentët e saj të doktoratës. “Disa kolegë që kisha në Institutin Jenner gjithmonë trembeshin nga Sara. Por kur e njihni dhe kaloni kohë me të, nuk është aspak rasti.”
Shoqja e saj, biokimistja Dr Anne Moore thotë se Gilbert do ta urrejë vëmendjen që do të marrë nga prodhimi i vaksinës, pasi ajo e urren të jetë në qendër të vëmendjes.