Bota “Zoti do të na kërkojë llogari për çdo vdekje”, Papa Françesku: Emigrimi...

“Zoti do të na kërkojë llogari për çdo vdekje”, Papa Françesku: Emigrimi nuk përbën kërcënim për krishtërimin

“Emigrimi nuk përbën kërcënim për krishtërimin, përveçse në mendjet e atyre që përfitojnë nga pretendimi se është”. Këtë deklaroi Papa Françesku në një libër të ri të botuar të hënën.

Duke qenë një mbrojtës i fortë i të drejtave të refugjatëve, kreu i Vatikanit shprehet se të refuzosh një emigrant për shkak të besimit fetar është keqpërfaqësim i krishterë.

“Të refuzosh një emigrant në luftë, pavarësisht nga besimi i tij fetar, nga frika e dobësimit të një kulture të krishterë, është keqpërfaqësim i krishterimit dhe kulturës. Të promovosh Ungjillin dhe të mos i mirëpresësh të huajt në nevojë, as të afirmosh njerëzimin e tyre si fëmijë të Zotit, do të thotë të kërkosh të inkurajosh një kulturë që është e krishterë vetëm në emër, e zbrazur nga gjithçka që e bën atë të veçantë.”

Këto komente të Papa Françesku i ka bërë në librin e ri “Le të ëndërrojmë”, i shkruar në bisedë me biografin britanik Austen Ivereigh.

Papa, nipi i emigrantëve italianë që u vendosën në Argjentinë, shpreh rregullisht solidaritet me emigrantët që kalojnë Mesdheun, duke mbajtur zi për ata që humbin jetën dhe duke denoncuar vendet e pasura që nuk i mirëpresin.

“Dinjiteti i popujve tanë kërkon korridore të sigurta për emigrantët dhe refugjatët në mënyrë që ata të mund të lëvizin pa frikë nga zonat vdekjeprurëse në ato më të sigurta,” thotë ai në libër.

“Është e papranueshme të pengosh imigracionin duke lënë qindra emigrantë të vdesin në kalime të rrezikshme detare ose udhëtime në shkretëtirë. Zoti do të na kërkojë llogari për secilën nga ato vdekje.”

Ai dënoi liderët të cilët kanalizojnë mllefet dhe urrejtjet e tyre kundër armiqve të imagjinuar për t’u shkëputur nga problemet e vërteta.

“Një fantazi e nacional-populizmit në vendet me shumicë të krishterë është mbrojtja e tij e civilizimit të krishterë nga armiqtë e perceptuar, qoftë Islami, Hebrenjtë, Bashkimi Evropian apo Kombet e Bashkuara. Frika e tyre dhe humbja e identitetit janë rritur në të njëjtën kohë kur pjesëmarrja në kisha ka rënë”, tha Papa Françesku.