Një tjetër ditë e keqe në vendin fqinj të Italisë, përsa i përket bilancit nga pandemia e koronavirusit.
Buletini i përditshëm i Ministrisë së Shëndetësisë tregon se në 24 orët e fundit nga 232 mijë testime të kryera, 29,003 prej tyre kanë rezultuar pozitive me Covid-19.
Gjithashtu dhe numri i fataliteteve raportohet të jetë i lartë, ku 822 persona të tjerë e kanë humbur betejën me virusin, duke e çuar numrin total të viktimave në rreth 53 mijë që nga nisja e pandemisë.
Italia do të ofrojë korridorin e parë ajror “Covid-free” nga Europa në SHBA
Ndërkohë, Italia pritet të prezantojë korridorin e parë ajror “Covid-free” mes Europës dhe SHBA për pasagjerët që kanë rezultuar negativë në testin për koronavirus, duke hequr kështu dhe nevojën për karantinim në mbërritje.
Aeroporti i Fiumicinos në Romë njoftoi se ka arritur një marrëveshje paraprake me kompanitë Alitalia dhe Delta Air Lines në SHBA për disa udhëtime mes qyteteve të Amerikës Veriore dhe kryeqytetit italian, duke filluar nga dhjetori.
Sipas marrëveshjes, pasagjerët do t’i nënshtrohen një testi për Covid-19, 48 orë përpara se të nisen drejt SHBA dhe anasjelltas. Nëse ata rezultojnë negativë, atëherë do të shmangin karantinën 14-ditore në të dy destinaconet.
“Zbatimi i kujdesshëm i protokolleve të testimit anti-Covid është rruga më e mirë për rinisjen e fluturimeve ndërkombëtare në mënyrë të sigurt deri në nisjen e vaksinimit”, u shpreh Steve Sear nga kompania Delta.
Aeroporti i Fiumicinos bën me dije se pas marrëveshjes për udhëtimet me SHBA, e njëjta gjë po diskutohet dhe me qytetet e Mynihut dhe Frankfurtit në Gjermani.