Aktualitet IKJA E NJË KAPITENI

IKJA E NJË KAPITENI

Nga Artan Lame

Në këto ditë ikjesh, po sjell një ngjarje me njërin prej tyre.

Pasha Liman, 1960. Në bazën e Pashá Limanit në Orikum, sipas procedurës së parashikuar nga standardet e Traktatit të Varshavës, nëndetëset kishin sistem komande me dy bashkë-komandantë, një oficer sovjetik dhe një shqiptar. Ky sistem funksionoi deri në prishjen e marrëdhënieve me BS-në, kohë kur sovjetikët u larguan nga Baza, duke lënë 4 nëndetëset e famshme, skeletet e mbetura të të cilave sot lëngojnë si dinozaurë të fundëm në Orikum.

Njëra prej këtyre dysheve komanduese të këtyre nëndetëseve, përbëhej nga majori sovjetik Igor Borisjeviç Komarov (foto) dhe kapiteni shqiptar Petrit Myftiu (foto).

Kapiten Petrit Myftiu, në vitin 1961, duke dalë nga një prej baxhave të nëndeteses së tij

Më 2 qershor 1961, dy ditë para nisjes përfundimtare të sovjetikëve nga Baza e Orikumit. Komarovi, duke u ndarë nga bashkë-komandanti Myftiu, që do të mbetet në nëndetëse, i thotë:

– Petrit, si ç’duken punët, ne së shpejti do të ndahemi, ndoshta përgjithmonë dhe ndoshta do të bëhemi edhe armiq, ndaj dua të të bëj një dhuratë për kujtim nga unë. – dhe i zgjat një kuti cigaresh prej druri të gdhendur.

– Të faleminderit Igor Borisoviç për mendimin, por me thënë të drejtën si kujtim nga ty do të dëshiroja shenjën metalike të nëndetëses që mban në xhaketë.

Kapiteni sovjetik Igor Borisjeviç Komarov, bashkekomandant i nendeteses shqiptare. Ne xhakete shihet shenja dalluese e komandanteve te nendeteseve.

Për sqarim të lexonjësve, shenja e nëndetëses mbahen vetëm nga komandantët të tyre dhe duket qartë në fotografi në xhaketën e Komarovit. Bashkë-komandantët shqiptarë kishin të drejtë ta mbanin edhe ata, por në kushtet e fukarallëkut dhe mungesës së furnizimeve për “tangërllëqe” të tilla, vetëm mund ta ëndërronin. Komarovi, me siklet i përgjigjet:

– Më vjen keq Petrit, shenjën nuk ta jap dot, pasi jo vetëm që s’kam tjetër që ta zëvendësoj, por e kam edhe kujtim që prej ditës kur jam bërë komandant nëndetëseje në Bashkimin Sovjetik.

Dy prej kater nendetseve shqiptare, ne kulmin e shkelqimit te tyre ne vitet ’60.

Shkëmbyen fjalët e fundit dhe pas dy ditësh, flota sovjetike braktisi përgjithmonë brigjet shqiptare dhe bashkë me të edhe majori Komarov dhe shenja metalike e nëndetëses.

1999. Kaluan vite e dekada që atëherë, Muri i Berlinit u ndërtua e u shemb, Bashkimi Sovjetik u shpërbë, Lindja u hap. Në vitin 1999, Myftiu, tani në pension, arrin të rivendosë kontaktet së largu me letra me ish-bashkë-komandantin e nëndetëses së vet, Komarovin, që jetonte në Moskë. Pas ca kohe, bashkë me gruan merr udhën për t’u takuar me të në Moskë, ku të dy ish-komandantët ri-takohen pas 38 vjetësh. Qëndrojnë bashkë dy javë, duke kujtuar të gjallë e të vdekur dhe ditën e fundit para ndarjes, rihapet tema e vjetër.

– Petrit, para se të ndahemi, shiko dhe zgjidh njërën nga këto dy stemat e nëndetëseve. Kjo e nikeluara është ajo që kam mbajtur dikur në Pashá Liman, ndërsa kjo e arta është kur kam qenë komandant nëndetëseje bërthamore në Detin e Veriut. Nuk e kam harruar pengun tënd të dikurshëm, që nuk ta plotësova dot atëherë.

Myftiu sheh me kujdes dy stemat që shkëlqejnë në kuti dhe i përgjigjet:

– E verdha nuk më takon edhe pse është më e bukur, sepse unë nuk kam qenë komandant në nëndetëse bërthamore. Do preferoja këtë tjetrën të Pashá Limanit, se ajo më përket edhe mua si bashkë-komandant i nëndetëses. Faleminderit!

Kështu, stema e Pashá Limanit, që e kishte lënë Shqipërinë në gjoksin e Komarovit më 1961-shin, u rikthye sërish pas 38 vjetësh në xhepin e Myftiut.

Shenja dalluese e komandantit te nendeteses, sot ne koleksionin tim.

2010. Kalojnë sërish vite të tjerë dhe unë e mësova këtë histori nga Myftiu, diku nga viti 2010.

– Do të ta dhuroja – më tha atëherë, duke parë si më shkëlqenin sytë mua – po ti e di si jemi ne, kushedi ku e kam lënë.

Kur papritur, pas ca ditësh bie zilja e telefonit dhe Petriti më thotë:

– Artan, e gjeta stemën, në ç’ditë mund të takohemi?

– Tani – i them – menjëherë.

Dhe kështu u mbyll edhe një etapë tjetër e udhëtimit të kësaj steme, që sot qëndron në raftet e mia, mes qindra shenjave, stemave, e uniformave të tjera.

2020. Sot, dhjetë vjet pas asaj dite, edhe kapiten Petrit Myftiu iku nga kjo jetë.