Bota Gjermania kalon pragun e një milion rasteve me COVID-19

Gjermania kalon pragun e një milion rasteve me COVID-19

Gjermania kaloi sot pragun e një milion personave të testuar pozitiv me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë, njoftoi Instituti Shëndetësor, Robert Koch.

E konsideruar si një prej më të mirave për menaxhimin e epidemisë, por e goditur më fort nga vala e dytë, Gjermania numëron sot 1 006 394 të prekur me COVID-19 të deklaruar zyrtarisht  (+22 806 në 24 orë) dhe 15 586 të vdekur (+426), sipas Institutit.

Landi i Rhenanie së Westphalisë Veriore, më i populluari i Gjermanisë, u rendit në krye të landeve më të prekura me më shumë se 250 000 raste, para Bavarisë, me rreth 198 000 persona të infektuar dhe Bade-Wurtemberg (rreth 143 000).

Në Berlin, rreth 62 000 raste janë regjistruar që prej fillimit të epidemisë së koronavirusit.

Gjermania do të zgjasë deri në fillim të janarit kufizimet për të luftuar kundër COVID-19, si mbyllja e bareve dhe restoranteve dhe kufizimi i pjesëmarrësve në takimet private, njoftoi një ditë më parë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Ne duhet të bëjmë akoma përpjekje (…) numri i infektimeve vazhdon të arrijë nivele shumë të larta”, deklaroi kancelarja në përfundim të shtatë orëve diskutime me drejtuesit e 16 shteteve rajonale gjermane.

Kufizimet e vendosura gjatë një seance të mëparshme në nëntor do të vazhdojnë të aplikohen deri në fillim të muajit janar, përveç nëse kemi një ulje të papritur të shkallës së infeksionit, por kjo nuk ka gjasa në këtë fazë”, theksoi Merkel.

Baret, restorantet, vendet kulturore dhe klubet sportive duhet të qëndrojnë të mbyllura për më shumë se një muaj. Vendpushimet e skive do të qëndrojnë të mbyllura dhe hyrja në dyqane gjithashtu do të jetë e kufizuar, me një numër të kufizuar të klientëve në varësi të madhësisë së tyre.