Opinion nga Michael D’Antonio, CNN
A do rikandidojë apo jo Trump për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2024? Sipas “The Washington Post”, presidenti në ikje po konsideron mundësinë e ri-kandidimit 4 vjet më vonë për të rihyrë në Zyrën Ovale.
Duke pasur parasysh faktin se shumë republikanëve u pëlqen kjo ide, Trump mund ta shpallte synimin e tij që në fund të këtij viti, dhe ky është një skenar që nuk mund të përjashtohet. Arsyet për këtë, përtej numri të votave që mori në këto zgjedhje, përfshijnë edhe mendësinë e tij refuzuese ndaj pranimit të humbjes, dhe përkushtimin e tij ndaj konceptit se fitorja ju vodh nga demokratët.
Por përtej kokëfortësisë, këmbëngulja e Trump, përputhet me markën e tij politike, e cila thekson idenë se ai është një politikan jo i zakonshëm, luftarak dhe i pamëshirshëm. Kjo i jep gjithashtu mundësinë të krijojë mitin e të huajit, që shkon në Uashington për të “tharë kënetën” e politikës.
Nëse ai zgjedh të paraqitet si një luftëtar i mundur që synon të luftojë prapë, Trump mund të bazohet me bollëk tek 2 elementë:vëmendja e medias dhe paratë e donatorëve. Vëmendja do t’i ofrohej nga media, nëse ai do të udhëtojë anembanë SHBA-së për të mbajtur tubime të stilit të fushatës elektorale, që do të tërhiqnin turmat e etura për të dëgjuar fyerjet e radhës ndaj demokratëve, dhe sigurisht sulmet e reja ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden, apo kujtdo që mund ta sfidojë Trumpin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Paratë mund të derdhen lumë tek Trumpi, nëse ai shet bileta për pjesëmarrjen në tubimet e tij, por edhe nga lobimi i stafit të tij tek biznesi. Më shumë para mund të vijë në formën e donacioneve për komitetet e veprimit politik që ai do t’i drejtojë.
Presidenti ka ndërmarrë tashmë fushata të shumta për mbledhjen fondesh, përmes e-maileve dhe mesazheve telefonike për një komitet të quajtur “Save America”. Ndërsa një pjesë e parave janë përdorur për të financuar betejën ligjore të Trump gjatë presidencialeve të 2020-ës, shumica e tyre thuhet se po shkojnë tani për të financuar veprimtarin e ardhshme politike të presidentit në ikje.
Por ka një paralajmërim: Ndërsa Trump do të kishte shumë arsye financiare dhe egoiste për të kandiduar, ai mund të rrezikojë të shkaktojë një “luftë civile” brenda Partisë Republikane, të shkaktuar nga republikanët që kanë dhënë kontributin e tyre, dhe që kanë pritur me durim radhën e tyre për të kandiduar për presidencën e SHBA-së.
Një gjë është e sigurt: Trump do t’i ofronte vendit një spektakël të paparë më herët, dhe për të cilin nuk kemi asnjë model. Tani i futur në klubin e vogël të presidentëve, që nuk arritën të fitojnë dot rizgjedhjen në detyrë, Trump ka nevojë për një paraardhës të ri që ta imitojë.
Në të kaluarën, Trump ka treguar se modeli i tij ishte Andreë Jackson, populisti që shërbeu dy mandate të njëpasnjëshme, dhe trajtimi mizor i të cilit ndaj fiseve indiane të SHBA-së, është sot i krahasueshëm me trajtimin që Trump u bëri emigrantëve pa dokumente.
Por ndoshta modeli më i saktë për një presidencë të mundshme të ardhshme është Grover Cleveland, që shërbeu në dy mandate jo të njëpasnjëshme, si presidenti i 22-të dhe 24-të – edhe pse ky vështirë se është një paralelizëm i përshtatshëm.
Ndryshe nga Trump, Cleveland shërbeu për një kohë të gjatë si sherif, kryetar bashkie dhe guvernator. Gjithashtu, Cleveland fitoi votën popullore në secilën nga 3 zgjedhjet presidenciale ku mori pjesë.
Ndërkohë Trump e humbi votën popullore përballë Hillary Clinton, me gati 3 milion, dhe përballë Biden me 6 milionë. Nga ana tjetër, a do të rrezikonte Trump përgatitjen e një fushate të tretë presidenciale, në të cilën shumica mund ta refuzojë atë sërish?
Kjo përgjigje do të ishte e diskutueshme, nëse ai do ta përdorte një ri-kandidim 4 vite më vonë, për të hequr vëmendjen nga ngjarjet e ardhshme (siç janë problemet e tij ligjore) apo nëse problemet shëndetësore, e bëjnë të vështirë përpjekjen e tij. Sido që të jetë, ai nuk mund t’i rezistojë idesë së një shpërblimi afatshkurtër për portofolin dhe egon e tij personale, dhe kjo është ajo që sugjeron edhe historia e jetës së tij.